Në 5 vjet Shqipëria përgjysmoi industrinë nxjerrëse – Dyfishohen eksportet e veshjeve dhe ushqimeve

Industria nxjerrë në Shqipëri është sot më pak se gjysma e asaj që ka qenë para 5 vitesh. Këtë e konfirmojnë të dhënat e INSTAT, të cilat tregojnë se vlera e eksporteve të mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë në vitin 2017 ishte sa vetëm 43.3% e asaj në vitin 2013.
Ky grup mallrash vlen sot për ekonominë shqiptare vetëm 43 miliardë lekë, nga 99.4 miliardë lekë në vitin 2013. Kjo, kombinuar me rritjen e nevoja të tregut të brendshëm, ka bërë që bilanci tregtar të kalojë nga një plusvalencë prej 6.7 miliardë lekësh, në një deficit prej 22.8 miliardë lekësh, (ku vetëm vitin e shkuar deficit u rrit me 19.6 mld lekë).
Pavarësisht se ka një rritje të ndjeshme të eksporteve nga viti në vit për këto grupmallra me shtete si Spanja dhe Kosova, duket se tregtia ka rënë me ritme edhe më të shpejta me shtete e tjera.

Një performancë e tillë negative nuk ka mundur të balancohet as nga industria e tekstileve dhe këpucëve, e cila rriti eksportet me 10.7 mld lekë. Eksportet shqiptare të veshjeve kanë njohur rritje gjatë 2017-ës me Italinë, partnerin kryesor tregtar, por edhe janë zgjeruar në tregje të tjera si Greqia.
Balancimi nuk vjen edhe për shkak se bashkë me prodhimtarinë janë rritur edhe kërkesat e brendshme si për veshje, ashtu edhe për lëndë të parë, të cila kanë ndjekur vazhdimisht trendin e eksporteve.
Megjithatë, pavarësisht këtij trendi, grupi “Tekstile dhe Këpucë” në 5 vite ka arritur të dyfishojë bilancin tregtar, nga një suficit prej 15.2 miliardë lekësh në 2013, në 30.2 miliardë lekë në fund të 2017-ës.

Një tjetër industri e cila me kalimin e viteve ka pësuar ndryshime të mëdha është edhe ajo ushqimore. Edhe pse rritja e shkëmbimeve ka ardhur si në eksporte, ashtu edhe në importe, është për t’u vlerësuar që produktet e përpunuara ushqimore shqiptare, fruta-perimet, pijet dhe duhani kanë dyfishuar vlerën e tyre në tregjet e huaja gjatë këtyre viteve.
Eksportet për këtë grup mallrash janë rritur nga 14.6 miliardë lekë në 2013, për të arritur në mbi 30 miliardë lekë në vitin 2017. Italia, Kosova dhe Greqia mbete tregjet kryesore për këto produkte.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.