Në gusht hiqen vizat për qytetarët e Kosovës – Mustafa: Përgjegjësi e deputetëve
“Kemi përkrahjen e Bashkimit Europian që të liberalizohen vizat në fund të gushtit dhe t’u mundësohet qytetarëve edhe bizneseve e që ata të qarkullojnë sikurse të gjithë qytetarët e tjerë europianë”, u shpreh kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ditën e martë.
Deklarata erdhi si koment ndaj nismës së deputetëve opozitarë për mbledhjen e firmave për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë. Sipas Mustafës, nuk është diskutuar me PDK-në për prishjen e koalicionit.
Ndërkohë një nga çështjet kryesore që është përmendur edhe në raportet e institucioneve të Bashkimit Europian është ajo e demarkacionit.
Realizimi i këtij procesi konsiderohet kyç për heqjen e regjimit të vizave. Mustafa tha se do të arrihet një marrëveshje paraprake me partnerin kryesor PDK dhe me deputetë nga Lista Serbe.
Sipas tij Kuvendi ka përgjegjësi përballë qytetarëve të vendit dhe se deputetët do të marrin përsipër përgjegjësinë për izolimin e qytetarëve të Kosovës, sa i takon çështjen së lëvizjes së lirë.
“Është përgjegjësi e deputetëve të Kosovës që të marrin një vendim për t’i nxjerrë qytetarët nga izolimi, apo dëshirojnë që për kauza politike edhe teke të tjera t’i lënë qytetarët në izolim”, tha Mustafa.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.