Në Itali politika s’gjen paqe, ekonomia pranë një krize të madhe
Koalicioni i partive populiste të Italisë është përplasur në çështje të ndryshme, duke filluar nga kontrollet e emigracionit e deri tek autonomia rajonale, që në vitin e parë të qeverisjes. Nuk duhet të jetë një surprizë që reagimi i Italisë ndaj shqetësimeve të Komisionit Evropian rreth kontrollit të borxhit shkaktoi gjithashtu tension të madh.
Letra e Ministrit të Financave, Giovanni Tria, bërë publike këtë të premte, kërkonte ndërmjetësimin e kryeministrit Giuseppe Conte, pasi lëvizja anti-establishment ‘Pesë Yjet’ kundërshtoi një udhëzim për shkurtimin e shpenzimeve të mirëqenies.
Tria i tha Komisionit në këtë letër se qeveria do të fillojë një rishikim të sistemit të taksimit në vend dhe të shpenzimeve publike, në një përpjekje për të shmangur një shkelje të procedurës së KE, për dështimin e zvogëlimit të ngarkesës së rëndë të borxhit publik. Letra nuk dha detaje rreth reduktimeve të mundshme të shpenzimeve.
“Qeveria po krijon një program gjithëpërfshirës për të shqyrtuar shpenzimet aktuale përpara përgatitjes së ligjit për buxhetin e vitit 2020”, tha Tria në letrën drejtuar ekzekutivit të BE-së me qendër në Bruksel.
Në një letër dërguar Trias të mërkurën, Komisioni kishte bërë presion ndaj qeverisë në Romë për të dhënë një shpjegim për dështimin e saj për të shkurtuar borxhin në vitin 2018 dhe pyeti se si planifikoi ta zvogëlonte atë në të ardhmen.
Ky ishte hapi i parë në një procedurë që në përfundim mund të dënojë Italinë me një gjobë prej shumë miliardë eurosh. SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.