Në kryeqytet ka punë? Statistikat flasin ndryshe – Tirana qarku i dytë me papunësinë më të lartë

Gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, qarku i Tiranës arriti të rrisë shkallën e punësimit, por gjithashtu edhe shkallën e papunësisë. Kjo vjen si rezultat i rritjes së pjesëmarrjes në forcat e punës, çka do të thotë se kishte më shumë njerëz që kërkonin punë.
Pavarësisht përmirësimit të ndjeshëm krahasuar me një vit më parë, kryeqyteti vazhdon të ketë një nga normat më të larta të papunësisë në rang kombëtar. Me 3.4 pikë përqindje mbi mesataren e vendit, Tirana renditet e dyta për nga shkalla e papunësisë pas qarkut të Vlorës, ku situata gjatë periudhës Korrik-Shtator vijoi të përkeqësohet.

Tirana regjistron edhe një ndër shkallët më të ulëta të punësimit, me 4.8 pikë përqindje poshtë mesatares së Shqipërisë. Më dobët paraqitet situata në tregun e punës vetëm për qarkun e Vlorës dhe të Durrësit.
Situata e punësimit në Tiranë nuk ndihmohet as nga shkalla e pjesëmarrjes, 55.3%, më e ulëta në rang kombëtar pas qarkut të Durrësit. Kjo do të thotë se pavarësisht se studentët, shtëpiaket dhe personat e tjerë që nuk janë në kërkim të një vendi pune nuk ndikojnë në statistika, për pjesën tjetër të popullsisë banuese gjetja e një vendi pune është shumë e vështirë.
Papunësia e lartë në kryeqytet është e lidhur kryesisht me strukturën e punësimit, ku sektori i shërbimeve zë mbi 2/3 e të punësuarve, ndërsa industria zë 24.9%. Kjo lë më pak hapësira për individët që të vetëpunësohen në sektorin e bujqësisë, ku aktualisht janë të punësuar vetëm 5,9% e popullsisë.
Në ndryshimin vjetor, sektori i shërbimeve ka forcuar pozitat me 0.5 pikë përqindje, ndërsa bujqësia me plot 1.7 pikë përqindje. Rritja e këtyre sektorëve në strukturën e punësimit ka ardhur në kurriz të sektorit të industrisë, i cili ka shënuar rënie me 2.2 pikë përqindje.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.