Në Nëntor, 700 mln euro të tjera hua – Eurobondi/ Opozita: Niveli i borxhit mbi 90 % rrezikon ekonominë
Në muajin Nëntor qeveria do të dalë për herë të pestë në tregjet ndërkombëtare për të kërkuar hua në vlerën e 500-700 milionë eurove. Me shumicë votash, Komisioni i Ekonomisë i ka hapur rrugë kësaj iniciative.
Por marrja e një borxhi në këtë vlerë, ku një vit më parë sërish qeveria mori hua në tregjet ndërkombëtare, është parë me shqetësim nga deputetët e opozitës, të cilët janë shprehur se borxhi publik po arrin në 90 për qind të PBB dhe se nuk ka transparencë për mënyrën se si do të përdoret apo sa efektiv do të jetë.
Sipas mazhorancës matja e efektivitetit të borxhit shikohet në raportin borxh/investime, ndërsa theksohet se kostoja e borxhit ka ardhur në ulje.
Projektligji do të shkojë për miratim në seancën e radhës plenare dhe më pas do të nisin negociatat për huamarrjen e re, ku 450 milionë parashikohet të shkojnë për investime dhe vlera e mbetur, për të shlyer një pjesë të borxhit të vjetër.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.