Në “ofertë” industria e bakrit – Ministria: Koncesione afatgjata, totali i investimit 119 milionë dollarë

Qeveria ka nxjerrë në ofertë gjithë industrinë e prodhimit e përpunimit të bakrit, në kërkim të investitorëve të huaj apo vendas.
Nga maji i këtij viti, Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka bërë publike një ofertë tekniko-tregtare për ofrimin e objekteve të lira minerare dhe përpunuese të industrisë së bakrit për shfrytëzim, zhvillim dhe administrim afatgjatë.
Në ofertë Ministria e Energjisë bën edhe një analizë të totalit të investimeve që duhet të bëjnë subjektet e interesuara për të garantuar norma të kënaqshme fitimi në terma afatgjatë.
Sipas analizës, në total nevojitet një investim prej 99.5 milionë dollarësh, i cili me një vlere interesi 5 % për periudhë 10-vjeçare investimi arrin në 119 milionë dollarë.
Në objektet e lira minerare Perlat, Derven, Gurth, Thirre, sipas përllogaritjeve, nevojiten rreth 12 milionë dollarë investime, ndërsa duke përfshirë edhe objektet e tjera që kanë marrë në shfrytëzim kompanitë operuese në këtë industri, investimi i përafërt vlerësohet rreth 55 milion dollarë.
Në pasurim minerali rreth 15 milion milionë dollarë investimi për tre fabrika pasurimi te reja, dy në Mirdite dhe një në Korçë. Në sektorin e shkrirjes nevojitet një total investimesh prej 19 milionë dollarësh, ndërkohë që në sektorin e rafinimit nevojiten 4 milionë dollar për riparime të objekteve ekzistueses, plus 2 milionë dollarë për derdhjen e pandërprerë. Në prodhim tela e kabllo nevojiten 4,5 milionë dollarë investime.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.