Në Prill fillon nga puna koncesionari për Rrugën e Kombit
Në muajin Prill koncesionari i Rrugës së Kombit, bashkimi i operatorëve “Catalyst” do të nisë zyrtarisht nga puna për mirëmbajten dhe investimet në këtë aks, që përkthehet me vendosjen e pagesës, duke filluar prej 5 euro për automjetet.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se në këtë muaj do të ndërpriten të gjitha kontratat aktuale që janë lidhur për mirëmbajtjen e këtij aksi shumë të rëndësishëm rrugor. Koncesioni për Rrugën e Kombit ka marrë fuqi ligjore në fund të Dhjetorit të viti që lam pas.
Marrëveshja me rreth 400 faqe mes qeverisë shqiptare dhe konsorciumit që do të mirëmbajë rrugën parashikon që tarifa mesatare të jetë 5 euro, megjithatë do të ketë një kategorizim mbi bazën e llojit të mjetit, ku motoçikletat janë ato për të cilat do të paguhet më pak e kamionët e rëndë ato për të cilët do të paguhen më shumë. Parashikimet janë që në vitin e parë arkëtimet të jenë rreth 8 milionë euro për të arritur me kalimin e viteve në 14 milionë euro.
Elisabeta Dosku/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.