Në pritje të gazsjellësit Nord Stream 2 – Rregullatori gjerman, në kontakt me kompaninë për çështjet e certifikimit

Rregullatori i energjisë në Gjermaninë deklaroi se është në kontakt me konsorciumin e gazsjellësit Nord Stream 2 dhe pret që ai të japë garanci se projekti plotëson kërkesat. Rregullatori tha gjithashtu se po shqyrtonte aplikimet e përpunimit nga kompania ukrainase e gazit Naftogaz dhe kompania e rrjetit të gazit ukrainas GTSOU për të marrë pjesë në procesin e certifikimit për tubacionin.
Tubacioni Nord Stream 2 ka përfunduar dhe është gati për të dërguar gazin rus në Europë, por operimi ende nuk ka nisur sepse rregullatori i energjisë në Gjermani ende nuk ka dhënë miratimin. Projekti energjetik më i diskutueshëm i Europës, i cili udhëhiqet nga gjiganti rus i gazit Gazprom, ndër të tjera është përballur me rezistencën e Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës.
Rregullatori gjerman ka afat deri në fillim të janarit 2022 për të certifikuar tubacionin, por mund të marrë vendimin e tij më herët. “Ne jemi në bisedime me Nord Stream 2 dhe presim që të sigurohen provat e nevojshme dhe po monitorojmë nga afër respektimin e kërkesave rregullatore”, deklaroi rregullatori në një deklaratë.
Në fillim të këtij muaji, rregullatori gjerman tha se i kishte kërkuar operatorit të gazsjellësit, Nord Stream 2 me qendër në Zvicër, të tregonte se po përmbushte të gjitha kërkesat rregullatore përpara se tubacioni të hynte në shërbim.
Nord Stream 2 po kalon një proces certifikimi katërmujor dhe ka një fokus të veçantë në çështjet e aksesit jodiskriminues të rrjetit në territorin gjerman dhe integrimin e ndërlidhësit në zonën e tregut gjerman të gazit. Tregjet e gazit po presin me ankth lajmet për tubacionin, në një situatë tregu me çmime në rritje dhe afrimin e dimrit.
Presidenti rus Vladimir Putin, deklaroi pak ditë më parë se Rusia mund të fillojë furnizimet sapo Gjermania të japë dritën jeshile. Pas verdiktit të Gjermanisë, Komisioni Europian ka në dispozicion deri në dy muaj për të shqyrtuar atë vlerësim, që do të thotë se certifikimi mund të zvarritet.
Kompania polake e gazit publikoi të enjten një deklaratë duke paralajmëruar rritjen e kërcënimeve për sigurinë e furnizimit me gaz nëse Nord Stream 2 fillon operacionet.
Ukraina, e cila në vitin 2019 ra dakord për një marrëveshje pesëvjeçare me gjigantin rus të gazit Gazprom mbi tranzitin e gazit në Europë, pritet të humbasë më shumë nga Rusia, që pritet anashkalojë Ukrainën sapo të nisë operimi i Nord Stream 2.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.