Në Romë, 1 në 18 shqiptarë kanë biznes – Nga të punësuarit, 43% janë në sektorin e ndërtimit

Numri i bizneseve shqiptare në Provincën e Romës, ku jetojnë rreth 16 mijë e 251 shtetas shqiptarë, ka arritur në rreth 879. Kjo e bën Shqipërinë, kombësinë e huaj të 7-të më të madhe për nga numri i sipërmarrjeve.
Në krye të klasifikimit të hartuar nga Dhoma e Tregtisë e Romës, qëndrojnë vende si Bangladeshi me pothuajse 13 mijë biznese, si dhe Kina, Egjipti dhe Maroku me mbi 3100 sipërmarrje të regjistruara.
Për shkak të modelit të biznesit, kryesisht tregtisë dhe fast-food, Bangladeshi ka edhe raportin më të lartë me 1 biznes për 2.5 shtetas. Ndërkohë, për Shqipërinë, ky raport është vetëm 1 me 18, por duhet thënë se nuk merren parasysh bizneset e shqiptarëve që kanë fituar shtetësinë italiane.
Ndërkohë, sipas të dhënave të publikuara po nga Dhoma e Tregtisë e Romës, janë rreth 1778 shqiptarë që rezultojnë të punësuar në sipërmarrjet e kësaj province. Statistikat e tremujorit të tretë të 2017-ës, tregojnë se aktiviteti kryesor ku janë të angazhuar shtetasit shqiptar është fusha e ndërtimit, me 778 të punësuar, ose 43% e totalit.
Në fakt në ndërtim, shqiptarët janë të dytët në provincën e Romës, vetëm pas komunitetit rumun.
Një pjesë e mirë janë të angazhuar gjithashtu në aktivitetet e tregtisë me shumicë dhe pakicë, riparimit të automjeteve, si edhe shërbimeve të akomodimit dhe restaurimit.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.