Fuqia e të pafuqishmëve: Si Shqipëria mund të kontribuojë në BE – SCAN MAGAZINE

Shkrim nga Dosti Banushi
Në fillim-vitet 90’, ëndrrat mbushën edhe humnerat më besimpakta të shpirtrave shqiptar. Ngujimi komunist ishte përfunduar e ndaj radhën për t’u jetuar e kishte liria. Kjo nënkuptonte më së pari se dëshirat mund të thuheshin me zë të lartë. Dhe ashtu ndodhi. “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa” ishte ulërima e parë e një shoqërie që për 50 vite ishte ndaluar së foluri.
Klithma buronte nga dhimbja e ngecjes në kohë. Evropa e lirë ishte zhvilluar, njëkohësisht kur shqiptarëve u diktohej regjimi i kuq si i vetmi alternativë. Ndaj, me t’u fshirë kjo ngjyrë e ligë, tabloja e mbetur e bardhë i bëri shqiptarët të kuptojnë, se ata më në fund kishin lirinë për të dëshiruar. “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” ishte slogani i studentëve që protestonin në dhjetorin e 90’, e që përfaqësonte paradigmën mbi të cilën ata kërkonin të ndërtohej e ardhmja. Kjo ishte ëndrra! Ëndrra që s’u bë kurrë realitet.
Në dhjetor të 2018-ës, të zënë në grackën e historisë, studentët sërish humbën nga auditorët për t’u gjetur rrugëve, në një protestë pothuajse simetrike me revoltat e 28 viteve më parë. Kërkesa ishte e njëjtë me atë që të si-ngjashmit e tyre bënë në dhjetorin e 1990: Kushte më të mira studimi. Edhe thirrja ishte po e njëjtë: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Ndryshe nga dikur, koha nuk kishte ngecur; por ajo nuk po ecte përpara. Kjo rrotullame në vijën kohore të historisë ishte ftesë për reflektim: Pse dëshira për integrimin evropian ende nuk jetësohet?
Është mëse e qartë që shqiptarët e duan Evropën. 97% prej nesh e aspirojnë integrimin evropian, norma më e lartë në rajon. Edhe në nivelin e politik-bërjes, Shqipëria është i vetmi shtet që asnjëherë nuk ka vepruar kah-kundër linjës së politikës së jashtme të BE. Kjo u dëshmua më së miri edhe kur vendi ynë refuzoi kërkesën e SHBA për zhvendosjen e ambasadës shqiptare në Izrael tek qyteti i Jeruzalemit, me arsyetimin se “në politikën e jashtme Shqipëria është komplet e vijëzuar nga BE, që si kryeqytet të Izrealit njeh Tel Avivin.” Rrjedhimisht, s’mund të thuhet se integrimi evropian është i munguar për shkak se dëshira për të nuk është e fortë. Megjithatë, të duash është një gjë; të dish si të duash është një gjë krejt tjetër.
Gjithë diskutimi i integrimit ngrihet mbi shpresën se BE do të na ofrojë diçka. Detyrimi se dhe ne duhet t’i ofrojmë diçka mbrapsht asaj, harrohet. Një kuptim i tillë na ka krijuar kompleksin e inferioritetit, çka na pengon të mendojmë se ne duhet dhe mund të kontribuojmë për Evropën. Historiku i Bashkimit Evropian vërteton se parakushti i integrimit është dobishmëria dhe aftësia e një vendi karshi Evropës. Në këtë kontekst, duhet kuptuar se në integrimin evropian, privilegji për të marrë duhet të shoqërohet nga përgjegjësia për të dhënë. Vetëm nëse japim, marrim vlerën e një shteti të denjë për t’u njohur nga hapësira evropiane.
Për Shqipërinë, një marrëdhënie e tillë fatkeqësisht nuk mund të ndërtohet mbi terma politiko-ekonomik. Evropa ndahet ekonomikisht Veri-Jug, ku vendet e sipërme gëzojnë standarde të mira, ndërsa të poshtmet jo. BE ndahet gjithashtu politikisht, Lindje-Perëndim, ku në vendet e perëndimit triumfon shteti ligjor dhe vlerat demokratike, ndërsa në të lindjes ato veniten. Shqipëria është në Jug-Lindje. Ajo nuk ka as ekonomi të shëndoshë e as standarde të larta demokratike. Sipas Bankës Botërore ne mundemi ta arrijmë Evropën në parametrat e saja vetëm pas 60 vitesh. Ky është lajmi i keq!
Lajmi i mirë është që integrimi nuk shqyrtohet vetëm nën optikën e standardeve. Fundja, ato i përkasin çështjeve të brendshme të çdo shteti dhe i shërbejnë mirëqenies së shoqërisë. Rritja e standardeve është një nevojë që Shqipëria duhet ta plotësojë për të avancuar vetveten. Për integrimin evropian, fokusi duhet të jetë vlera. Nuk mundemi të kontribuojmë me eksporte ekonomiko-politike, por mundemi të eksportojmë vlera sociale, të cilat Shqipëria i ka, e Evropës i duhen.
Sikurse çdo projekt i rëndësishëm, dhe Bashkimi Evropian ka problemet e tij. Më i rrezikshmi ndër to është rritja e populizmit radikal të së djathtës, i cili eksploron çështje nacionaliste në një Evropë që synon të shkojë drejt federalizmit. Populizmi i së djathtës radikale është një forcë politike që ka rritje të fuqishme, me mbështetjen që shkoi nga 7% në më shumë se 25% për 20 vjet. Partitë populiste kanë hyrë në qeveri në gati një duzinë vendesh evropiane. Ato kryesisht fuqizohen në përçarjet e krijuara nga identitetarizmi nacionalist, identitetarizmi fetar dhe përçmimi ndaj të huajit emigrant e refugjat.
Pikërisht në këtë problem, Shqipëria mund t’i vijë në ndihmë Evropës. Forca e radikalizmit të djathtë, luftohet me tolerancën fetare dhe mikpritjen e sinqertë; dy vlera që kombi ynë i ka pjesë të mendësisë kulturore. Në Shqipëri, muslimani nuk punon në ditën që feston katoliku. Të gjithë munden të besojnë lirisht, pa iu skllavëruar paragjykimit. Gjithashtu, e karakterizuar nga një ndjenjë e fortë solidariteti, edhe mikpritja shqiptare nuk ka diskriminuar ndonjëherë kënd. Për ta përshkruar me një shembull historik, Shqipëria ishte i vetmi vend në botë që kishte më shumë hebrenj pas, se para Luftës së Dytë Botërore; duke u bërë i vetmi komb që priti dhe nuk dorëzoi asnjë hebre tek nazistët. Një mik i mirë i Evropës u dallua përgjatë kohës më të keqe të saj!
Potenciali për t’u dalluar edhe në këto kohë, nuk mungon. Duke lartësuar vlerën e tolerancës fetare mundemi t’i tregojmë Evropës se vendi që dikur qante nga ateizmi i imponuar i komunizmit, sot është bërë një oaz për lirinë e besimit. Mundemi të dëshmojmë padrejtësinë e etiketimit si një vend mysliman, karshi nesh që jemi një vend laik dhe i detoksifikuar nga radikalizmi. Me vlerën e mikpritjes jemi shembulli i vërtetë që tregon se solidariteti gjithnjë triumfon karshi frikës; frikë që dikur u përdor nga regjimi i kuq për të izoluar një Shqipëri të tërë, e që sot përdoret nga radikalët blu për të rikthyer nacionalizmin e ashpër në Evropë.
Këto shembuj shqiptar simbolizojnë disa prej vlerave të projektit Evropian të cilat po sfidohen nga popullimi i djathtë, sikurse solidariteti, respektimi i dinjitetit njerëzor dhe i të drejtave të njeriut. Duke qenë se politika është simbol, në një epokë ku ndasitë po thellohen, simbolet përbashkuese janë jetike. E ndaj, duke i ofruar Evropës këto simbole, Shqipëria mund të kontribuojë në të. Kuptimi i fesë si pjesë e identitetit personal që nuk pengon ndërveprimet socio-politike në shoqëri, është virtyt! Kuptimi i mikpritjes si mendësi që zhvillon, e nuk pengon botëkuptimin e një kulture, është gjithashtu virtyt! Shoqërisë evropiane ato i shërbejnë si simbole të humanizmit; ndjesi universale që mund të humbasë në ndasitë e identitetarizmit. Na takon ne që këto vlera t’i marrim nga vetja e t’ia servirim Evropës, duke e shndërruar vendin tonë, nga një shtet që s’dëshirohet prej të djathtës radikale, në një shembull që frenon intensifikimin e saj.
Për të arritur këtë, duhet të zhvishemi nga kompleksi i inferioritetit dhe ta vlerësojmë veten si shoqëri me potencialin për t’i dhënë Evropës një kontribut për të cilin ajo sot ka nevojë. Vetëm duke dhënë, mundemi të marrim. “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” është një ëndërr që pret për t’u jetësuar. Një ëndërr e vështirë, e cila na ngjit në lartësinë e sfidës që përmban. Dhe sikurse çdo sfidë në histori, edhe kjo nuk mund të tejkalohet vetëm me dëshirë. Duhet veprim. Rruga e integrimit ka destinacion Evropën, por fillon këtu në Shqipëri.
SCAN MAGAZINE
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.