Në Tetor hynë në vend 380 mijë të huaj – Polakët dhe rajoni për pushime të vona në Shqipëri

Gjatë muajit Tetor, në vendin tonë hynë rreth 379 mijë shtetas të huaj, ose gati 77 mijë më shumë se një vit më parë. Rritja me 25.3% nënkupton se sezoni turistik pati një shtyrje në kohë, duke sjellë sa më shumë vizitorë në Shqipëri.
Pjesa më e madhe e shtetasve të huaj që kanë shkelur territorin shqiptar gjatë muajit të kaluar i përkasin vendeve të rajonit, ku dominojnë shtetasit nga Kosova dhe Greqia. Për këta të fundit, ka patur një dyfishim në shifra dhe në pikat kufitare të vendit janë regjistruar mbi 75 mijë hyrje, nga 38 mijë një vit më parë.
Një tjetër grup turistësh që kanë shënuar më tepër hyrje në vend krahasuar me një vend më parë janë turistët nga Polonia, të cilët kanë katërfishuar numrin nga Tetori i Kaluar. Janë 9200 polakë që kanë zgjedhur Shqipërinë për të bërë pushime të vona.

Shtrirja e sezonit turistik dallohet edhe në deklarimin e qëllimit të hyrjes që bëjnë shtetasit e huaj. 168 mijë janë shprehur se kanë ardhur në Shqipëri për pushime, numër dyfish më i lartë se një vit më parë. Po ashtu është rritur edhe numri i vizitave njëditore dhe për Tetorin regjistron 25,610 vizita të tilla, krahasuar me 17,887 Tetorin e kaluar.
Për nga mënyra e udhëtimit, transporti tokësor dominon, duke shënuar rritje me 18.5% në hyrje dhe 12.2% në dalje. Një zhvillim të qëndrueshëm tregoi edhe transporti ajror, mënyrë me të cilën hynë në vend 113 mijë njerëz dhe dolën 119 mijë pasagjerë.
Për periudhën Janar-Tetor 2017, numri i fluturimeve në vend është rritur ndjeshëm, sidomos për sa i përket fluturimeve në dalje, që kanë një ngritje vjetore rreth 25.5%.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.