Në Vetting anëtari i KLP – Apeli shtyn seancën për Besnik Canin, pret kthimin e avokatit nga jashtë shtetit
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur të shtyjë për më datë 20 janar seancën dëgjimore me anëtarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Besnik Cani, e parashikuar të zhvillohej të mërkurën. Shtyrja ka ardhur me kërkesë të vetë Canit për dy arsye: Së pari pasi pret kthimin nga jashtë kufijve të Avokatit që do ta përfaqësojë në apel, ish Ministri i Drejtësisë Eduart Halimi; dhe së dyti pasi një ditë përpara seancës është ndarë nga jeta xhaxhai i tij. Kolegji shprehu mirëkuptim duke pranuar kërkesën e anëtarit të KLP.
Prokurori Besnik Cani u konfirmua në detyrë më 27 nëntor 2018, për t’u zgjedhur pak ditë më pas anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Por nuk ishin dakord me konfirmimin e tij në detyrë as ONM dhe as Komisioneri Publik.
Në qendër të pikëpyetjeve të ONM dhe Komisionerit publik është bashkëpronësia e prokurorit me një kompani private në një pikë karburanti në Paskuqan, ku përfshihen edhe një lavazh bashkë me një bar kafe. Sipas relacionit të KPK, Prokurori ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me një kompani për ndërtimin e pikës së karburantit nga kjo e fundit, ndërkohë që ai do të shlyejë vit pas viti në formën e qirasë vlerën e investimit, për ta marrë në pronësi pas 25 vitesh.
Sipas Komisionerit Publik, ndonëse është emërtuar “kontratë qeraje”, ajo është de facto një marrëdhënie tregtare ku subjekti është pjesëmarrës në fitimin e shoqërisë-çka bie ndesh me detyrimet ligjore etike të tij. Komisioneri Publik konstaton gjithashtu se Cani ka cenuar etikën e magjistratit edhe në rastin e përfitimit të statusit të pastrehë nga bashkia e Fierit, në kundërshtim me kriteret ligjore. Cani është anëtari i tretë i Këshillit të Lartë të Prokurorisë që rrezikon të humbasë në apel betejën me Vetting-ut, ndërkohë që dy kolegë të tij u rrëzuan më parë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.