Në Vetting për pasurinë – Gjyqtari Artan Laze kërkon përjashtimin e trupit gjykues
Ka përfunduar pa nisur mirë seanca dëgjimore e Vetting-ut për Gjyqtarin Artan Laze. Shkak është bërë pretendimi i gjyqtarit për t’iu nënshtruar të tre komponentëve të Vetting-ut, dhe jo vetëm vlerësimit të pasurisë. Kërkesa për t’iu nënshtruar edhe testit të integritetit personal dhe profesionalizmit u bë nga avokati i Lazes, Sokol Hazizaj, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bëri me dije se Gjyqtari do t’i nënshtrohej vetëm testit të pasurisë.
Avokati Hazizaj argumentoi para Komisionit të Vetting-ut se vlerësimi i Lazes vetëm në një dimension, atë të pasurisë, është në kundërshtim flagrant me të drejtën e gjyqtarit për një verifikim të plotë, ashtu si dhe me kushtetutën.
Pasi u tërhoq për rreth 15 minuta për të shqyrtuar kërkesën trupa e Vetting-ut rrëzoi pretendimin e Lazes, duke argumentuar se vendimi për magjistratët mund të merret duke u bazuar te vetëm një nga komponentët, pa marrë parasysh dy të tjerët.
Ky vendim u quajt menjëherë i njëanshëm nga Avokati Sokol Hazizaj, i cili kërkoi përjashtimin e trupës gjykuese. Brunilda Bekteshi, Kreu i Trupës Gjykuese të Vetting-ut, tha se vendimi për përjashtimin apo jo të trupës do të merret nga një tjetër trupë gjyqësore më 2 korrik.
Në përfundim të seancës Avokati Hazizaj tha se vlerësimi vetëm i një prej komponentëve të Vetting-ut nuk garanton një proces të drejtë ligjor për magjistratët.
Artan Laze është një prej emrave që i nënshtrohet me përparësi Vetting-ut si kandidat për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Ai është një prej gjyqtarëve të cilëve u është refuzuar pajisja me vizë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë që ka qenë edhe pjese e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.