Negociata prej më shumë se një viti, Yura Coorporation hap fabrikën e re në Fier, Denaj: “2000 të punësuar deri në 2023”
Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj kanë marrë pjesë ditën e sotme në inaugurimin e fabrikës së re të hapur në Fier, pjesë e Yura Coorporation.
Bëhet fjalë për një investim 1 miliardë lekësh dhe negociata të cilat zgjatën për më shumë se një vit midis kompanisë koreane dhe qeverisë shqiptare.
Sipas ministres Denaj objektivi është që kompania të arrijë të punësojë 2000 punonjës deri në 2023, ndërsa aktivitetin e ka filluar me 567 të tillë.
Yura Corporation është prodhues i pajisjeve kabllore dhe produkteve të tjera të ngjashme për makinat. Prej të paktën gjysmë shekulli, fokusi i aktivitetit është ky, por edhe mbështetja teknologjike dhe ekspertiza në makinat e gjelbra dhe të ardhmen e tyre.
Për shkak të famës së saj në tregjet ndërkombëtare, ministrja në fjalimin e mbajtur tregoi mundësinë që i jepet Shqipërisë për tu ekspozuar ndaj investimeve të ardhshme të huaja:
“Yura Coorporation do të jetë amabsadorja për rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Në vitin 2011 arritëm nivelin më të lartë të investimeve direkte dhe vetëm në këtë vit kemi kapur shifrën e 232 milionë eurove.
Sipas, ministres kjo është edhe një shenjë e hershme optimizmi që ekonomia shqiptare do ta marrë shpejt veten pas goditjes nga COVID-19, ndërkohë që shifrat e ardhura nga punësimi dhe bujqësia tregojnë se situata po përmirësohet ndjeshëm:
“Kudo ka një gjallërim dhe optimizëm. Tek punësimi ka një shifër, ku në 3 muajt e fundit janë punësuar 110 mijë persona duke e zvogëluar papunësinë në gati 27 mijë.
Ka 15 mijë biznese të reja të regjistruara, që ka gjithashtu një trend rritës. Kemi 15% më shumë eksporte në fushën e bujqësisë, agrikulturës dhe të produkteve bujqësore. Këto janë tregues që na bëjnë të ndjehemi besëplotë se në afatshkurtër ne do t’ja dalim, ndërsa në afatgjatë dhe afatmesëm do të kemi një rritje të plotë, sidomos sa i përket investimeve të huaja direkte.”
Kryeministri Rama ndërkohë në fjalën e tij ka theksuar eksperiencën që një korporatë e madhe si Yura i ofron tregut shqiptar, duke gjallëruar në të njëjtën kohë edhe ekonominë:
“Kultura e punës, mënyra e ndërtimit të marrëdhënieve të punës dhe eksperienca që ndërtohet hap pas hapi falë kompanive të kësaj kategori, të Ligës Botërore në ekonomi shkojnë përtej vlerës financiare dhe shifrave konkretë dhe energjizojnë të ardhmen e ekonomisë shqiptare në mënyrë të pazëvendësueshme.”
Sipas, shefit të qeverisë pas bashkëbisedimit me drejtuesit e kompanisë ai është siguruar se punëtorët nuk do të shfrytëzohen, por do të kenë në vazhdimësi hapësira për rritje të rrogave dhe të rritjes personale:
Rritja e pagave do të përshkallëzohet në bazë të përfitimit të eksperiencës. Nëse në fillim ajo është në nivele minimale, në bazë të eksperiencës ajo do të rritet me 30% dhe nëse volumi i prodhimit të rritet, ajo do të rritet në mënyrë të ndjeshme gjithashtu.
Sepse, filozofia e kompanisë nuk është shfrytëzimi, por krijimi i një komuniteti e të cilit të bën të ndjehesh pjesë”
Kjo fabrikë e re, u shpreh më tej z.Rama do ta bëjë më të lehtë thithjen e investimeve të tjera në fushën e automobileve.
Posted by Anila Denaj on Friday, June 26, 2020
Geri Kolgega / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.