Negociatat SHBA-Kinë – Progres në transferimin e teknologjisë dhe pronën intelektuale
Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë progres në çështje si transferimi i detyrueshëm i teknologjisë dhe të drejtat e pronës intelektuale, sipas ministrisë së Tregtisë në Kinë. Bisedimet 3-ditore që nisën në Pekin ditën e Mërkurë, përbënin negociatat e para që kur presidenti Donald Trump dhe homologu Xi Jinping, u takuan në Buenos Aires në Dhjetor dhe ranë dakord për një armëpushim 90-ditorë në luftën tregtare.
Negociatat pritej të zgjasnin vetëm 2 ditë por u zgjatën në 3, për shkak se të dyja palët shprehën sinqeritet dhe seriozitet, sipas ministrisë së Tregtisë në Kinë. Pjesa më e rëndësishme e bisedimeve, ku dhe është bërë progres, ishte qasja e Kinës në çështje si transferimi i detyrueshëm i teknologjisë, të drejtat e pronës intelektuale, barrierat tarifore dhe sulmet kibernetike. SHBA i kanë prezantuar Kinës një listë të gjatë të kërkesave, që do të ndryshojë kushtet e tregtisë mes 2 ekonomive më të mëdha në botë.
Përveç pikave të mësipërme, këto kërkesa përfshijnë edhe subvencionet industriale. Kina ka hedhur poshtë në mënyrë të vazhdueshme ankesat për abuzimet në pronën intelektuale dhe ka refuzuar akuzat se kompanitë e huaja detyrohen të transferojnë teknologjinë. Në një deklaratë, ministria kineze bëri të ditur se bisedimet kanë qenë të gjata dhe kanë mbështetur krijimin e një baze për rezolutë të shqetësimeve të të dy vendeve. Megjithatë, ministria nuk dha detaje.
Zyra e përfaqësueseve të tregtisë në SHBA deklaroi se autoritetet nga të dyja palët kanë diskutuar mënyra se si të arrijnë drejtësi dhe balancë në marrëdhëniet tregtare. Kina ka premtuar të blejë sasi të mëdha të produkteve dhe shërbimeve në bujqësi, energji dhe manifakturë nga SHBA. Nga ana tjetër, SHBA mund të mos rrisë tarifat ndaj 200 miliardë dollarë mallrave kinezë të importit. Nëse nuk arrihet një dakordësi deri më datën 2 Mars, Trump ka thënë se do të rrisë këto tarifa në 25% nga 10%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.