Nën hetim ndërtimet pa leje – Komisioni i Vetting-ut verifikon te ALUIZNI 169 gjyqtarë e prokurorë për legalizmet
Ndërtimet pa leje të gjyqtarëve e prokurorëve kanë qenë në qendër të hetimeve të kryera nga Komisioni i pavarur i Kualifikimit në kuadër të vlerësimeve për pastërtinë e figurës e pasurinë. Shkak për të cilin ajo ka dërguar pranë Agjencisë së Legalizimeve dhe Urbanizimit të Ndërtimeve Informale, 169 kërkesa për informacion. Scan disponon të dhënat e komunikimeve të ALUIZNI-t për vitin 2018 me institucionet ligjzbatuese.
ALUIZNI bën dije se i është përgjigjur Komisionit të Vetting-ut lidhur me kërkesat për informacion nëse subjektet rezultojnë aplikues për legalizim, apo të dhëna konkrete mbi legalizimet në emër të tyre, fazën në të cilën ndodhet praktika për legalizim, deri edhe pagesat e kryera nga subjektet për efekt të legalizimit.
Ndërtimet pa leje nga ana e gjyqtarëve e prokurorëve kanë qenë një prej pikave kyçe ku është fokusuar vëmendja e Komisioneve të Vetting-ut. Ndërkaq për disa prokurorë e gjyqtarë të kaluar deri tani në sitë ndërtimet pa leje kanë luajtur rol deciziv në vlerësimin e karrierave të tyre.
Sipas të dhënave zyrtare, deri në fund të korrikut 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka firmosur 188 vendime në total. Filtrin e trefishtë në pasuri, figurë e profesionalizëm e kaluan me sukses 81 gjyqtarë dhe prokurorë. Ata ia dolën të provojnë para Komisionit se kishin pasuri të pastër dhe zero kontakte me botën e krimit. 67 të tjerë u ndëshkuan me përjashtim nga sistemi, ndërsa 1 u kthye në Shkollën e Magjistraturës.
Lorenc Rabeta/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.