“Nënë Tereza” kryeson rajonin – Një prej aeroporteve me rritjen më të madhe në kontinent

Aeroporti i vetëm i Shqipërisë, rezulton të jetë një ndër ata me rritjen më të madhe në të gjithë Europën gjatë gjysmës së parë të këtij viti.
Këtë thotë Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve për Europën. Sipas raportit më të fundit të publikuar nga ky këshill, rezulton se, tregjet e trafikut ajror në Europë që nuk i përkasin vendeve të Bashkimit Europian, kanë pësuar mesatarisht një rritje prej 9.9% gjatë gjysmës së parë të vitit.
Për disa vende ndërkohë, vijon raporti, rritja shkon bindshëm përtej normës së 20%. Një prej këtyre vendeve është edhe Shqipëria, së bashku me Moldavinë, Gjeorgjinë, Ukrainën dhe Malin e Zi.
Pra në rajon, veç Shqipërisë dhe Malit të Zi, asnjë aeroport tjetër nuk e kalon normën e rritjes prej 20%.
Kjo rritje, shpjegohet kryesisht me futjen e linjave të reja ajrore, kryesisht low-cost, me destinacion vendet e Europës Qendrore. E njëjta gjë vlen edhe për Malin e Zi.
Sa i përket aeroporteve më të ngarkuara të kontinentit, 5 më të mëdhenjtë raportojnë një rritje të trafikut të pasagjerëve prej 4.3% gjatë gjysmës së parë të vitit, me aeroportin Schipoli të Amsterdamit që regjistron rritjen më të madhe, me 8.7%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.