Nënshkruhet memorandumi – BSH, bashkëpunim me Bankën e Turqisë

Banka e Shqipërisë nënshkroi të hënën një memorandum bashkëpunimi me Bankën Qendrore të Republikës së Turqisë. Në fjalën e rastit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se globalizimi ka shtuar sfidat për sistemet financiare.
Sipas tij, rritja e bashkëpunimit mes bankave qendrore është një kusht i domosdoshëm për të qenë më të përgatitur përballë këtyre sfidave.
“Ky bashkëpunim na imponon edhe ne – si politikëbërës – të intensifikojmë shkëmbimin e informacionit dhe opinioneve, si dhe të tentojmë të promovojmë gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për sfida të përbashkëta. Në këtë frymë, Banka e Shqipërisë dhe Banka Qendrore e Republikës së Turqisë nënshkruajnë sot këtë memorandum bashkëpunimi, i cili mund të konsiderohet fare mirë si kurorëzimi i bashkëpunimit tonë të deritanishëm disavjeçar, si dhe i përpjekjeve tona të vazhduara për të hartuar kuadrin institucional dhe për të qartësuar protokollet operacionale të bashkëpunimit në një sërë fushash të bankingut qendror. Ky memorandum i shton një dimension të ri marrëdhënieve midis vendeve tona. Ai konfirmon vullnetin për të rritur më tej këtë bashkëpunim dhe për të konsoliduar lidhjet midis dy vendeve, duke u krijuar të dy institucioneve hapësirën e nevojshme për intensifikimin e shkëmbimit të ndërsjellë të informacionit dhe ekspertizës në fusha të ndryshme të bankingut qendror, si: mbikëqyrja, stabiliteti financiar, puna kërkimore, edukimi financiar etj., si dhe të dialogut të rregullt në nivel teknik e politik. Ai përbën një hap të rëndësishëm për të përfituar maksimalisht nga efektet pozitive të integrimit dhe për të minimizuar ato negative”.
Edhe Guvernatori i Bankës së Turqisë, Murat Çetinkaya, ndau mendimin se memorandumi përbën një hap të rëndësishëm për të përfituar nga efektet e integrimit dhe për të minimizuar ato negative.
Memorandumi synon t’iu krijojë dy institucioneve hapësirën e nevojshme për intensifikimin e shkëmbimit të informacionit dhe ekspertizës në fusha të ndryshme të bankingut qendror, si mbikëqyrja, stabiliteti financiar, puna kërkimore, si edhe të dialogut të rregullt në nivel teknik e politik.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.