Nënshkruhet paketa e mbrojtjes – Merr emrin e McCain, lehtëson barrierat për ZTE dhe Huawei

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi paketën e mbrojtjes prej 716 miliardë dollarë që autorizon shpenzime të mëdha ushtarake dhe lëshime në kontrollin e kontratave të Qeverisë amerikane me kompanitë kineze, Huawei dhe ZTE.
Paketa mori emrin e një nga kritikëve politikë të Trump, Senatorit John McCain të Arizonës. McCain tha në një deklaratë se ndihet i përulur që paketa mori emrin e tij. Trump bëri më vonë një referencë ndaj McCain në New York, duke e kritikuar atë që votoi kundër reformës së shëndetësisë vitin e kaluar.
Edhe pse Trump tha se paketa përbën një nga investimet më të rëndësishme në ushtri të historisë moderne, tre buxhetet e para të administratës Obama ishin më të mëdha, pas përshtatjes me inflacionin.
Shumë politikanë kërkonin ta përdornin paketën për të ashpërsuar sanksionet ndaj kompanisë kineze ZTE, për ta ndëshkuar për dërgesat e jashtëligjshme të produkteve në Iran dhe Korenë e Veriut. Megjithatë, kufizimet ishin më të lehta krahasuar me versionin fillestar të paketës së mbrojtjes.
Trump ka hequr më herët gjatë vitit barrierën e kompanive amerikane që t’i shërbejnë ZTE, duke lejuar kompaninë e dytë më të madhe të telekomunikacionit në Kinë që të rifillojë biznesin.
Liderët e agjencive të inteligjencës në SHBA kanë shprehur shqetësime se ZTE dhe Huawei i janë betuar qeverisë kineze, duke rritur rrezikun e spiunazhit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.