Nënstacion i ri elektrik në Gjirin e Lalëzit – Balluku: Mbështet zhvillimin e turizmit
Në kuadër të investimeve për zhvillimin e turizmit, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, ka inspektuar sot ecurinë e punimeve për ndërtimin e nënstacionit të ri elektrik në zonën e Gjirit të Lalëzit. “Ky është një projekt i mbështetur nga fondet e OSHEE-së, prej 1.4 miliardë lekë të reja dhe i kombinuar me projektin e OST-së për ndërtimin e linjës 110 kilo-volt. Është sigurisht një kombinim për të dhënë dhe për të mbështetur të gjitha investimet që po bëhen në këtë zonë në bazë të strategjisë së turizmit”, deklaroi Balluku.
Në këtë fazë të dytë të projektit po realizohet shtrirja e rrjetit që përfshin 8 fidera gjithsej. Sipas administratorit të OSHEE-së, Adrian Çela, i cili ishte pjesëmarrës në inspektim, punimet kanë filluar në muajin prill dhe të përfundojnë brenda muajit shtator.
Ministrja Balluku solli gjithashtu në vëmendje se krahas investimit që po bën OSHEE dhe OST në këtë zonë është edhe linja e re e ujësjellësit të ri të Durrësit, që nis nga Fushë-Kuqja nga e cila do përfitojë edhe zona e Gjirit të Lalëzit.
Këto investime, do të bëjnë të mundur nxitjen e investimeve me qëllim shtimin e numrit të turistëve në këtë zonë. Me nënstacionin e Gjirit të Lalëzit do të furnizohen zonat si, Plazhi i Gjiri i Lalëzit, zona e Manzës, Ishëm, e deri te Kepi i Rodonit. Investimi për ndërtimin e rrjetit 20 kV, parashikon shtrimin e 69.6 km rrjet Tension i Mesëm 20 kV, 256 km rrjet Tension i Ulët me përcjellës ABC si dhe ndërtimin e 155 kabinave elektrike.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.