Nestle do të shesë Starbucks – Blen të drejtën për $7.15 mld, krijon një aleancë globale të kafes
Gjiganti zviceran, Nestle, do të blejë të drejtën për të shitur në të gjithë botën produktet e zinxhirit amerikan të kafes, Starbucks, për 7.15 miliardë dollarë, duke krijuar një aleancë globale që synon fuqizimin e biznesit të tyre.
Marrëveshja që u lajmërua në fillim të kësaj jave për një biznes që gjeneron 2 miliardë dollarë nga shitjet, fuqizon pozitën e Nestle, në një kohë të ndryshimeve në treg.
Aksionet e firmës zvicerane u rritën me 0.5%, pasi kishin rënë me më shumë se 8% deri më tani për vitin. Starbucks deklaroi se do të përdorë të ardhurat për të përshpejtuar riblerjen e aksioneve dhe marrëveshja do të rrisë të ardhurat për aksion deri në vitin 2021.
Nestle bëri të ditur se pret që marrëveshja për të shitur kafen e paketuar dhe pijet e Starbucks, të shtojë të ardhurat deri në vitin 2019. Emri i Nestle nuk do të shfaqet në produktet e Starbucks.
“Ne nuk duam që konsumatori të perceptojë që Starbucks është tashmë pjesë e një familje tjetër më të madhe”, deklaroi Nestle.
“Kjo aleancë globale e kafes do të sjellë eksperiencën e Starbucks në shtëpitë e miliona klientëve të rinj në të gjithë botën, nëpërmjet reputacionit të Nestle”, deklaroi kreu ekzekutiv i Starbucks, Kevin Johnson.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.