Netflix mund të bëhet kompania e dytë më e madhe mediatike në botë – Analistët: Do të ndodhë brenda 3-5 vitesh

Suksesi i përmbajtjes origjinale të Netflix mund t’i japë një shtysë rezultateve financiare të kompanisë. Ky është parashikimi i ‘Barclays’, një prej firmave të Wall Street, e cila pret një rritje të fortë të të ardhurave dhe të të abonuarve brenda viteve të ardhshme.
Për analistët, ecuria pozitive varet nga diçka shumë e thjeshtë: nëse rritja e të abonuarve në këtë shërbim është më e shpejtë se rritja e kostos së përmbajtjes me kalimin e kohës, atëherë Netflix mund të bëhet një nga kompanitë më të suksesshme mediatike.
Kompania amerikane ka në platformën e saj rreth 5800 filma e seriale dhe do të shpenzojë 10-12 miliardë dollarë për përmbajtje këtë vit.
Barclays parashikon se shitjet vjetore do të rriten me nga 27% në vit deri në 2019-ën.
“Në opinionin tonë, brenda 3-5 viteve të ardhshme Netflix me shumë gjasa do të bëhet kompania e dytë më e madhe për nga të ardhurat, pas Disney (pa përfshirë studiot kinematografike dhe parqet tematike)”, thotë analiza e Barclays.
Marka pritet të tërheqë edhe më shumë abonentë në vijim me rritjen e interesit global, shtimin e titrave në gjuhë të huaja, çmimet konkurruese, shtimin e librarisë dixhitale, si edhe serialeve që kanë disa sezone, mes të cilëve “Stranger Things”, “Orange is the new Black” dhe “House of Cards”.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.