Nga 1 janari 2019 rritet tarifa doganore për frigoriferët! Relacioni: Çdo vit importohen 91 mijë njësi
Duke nisur nga 1 janari i vitit 2019, për zhdoganimin e frigoriferëve dhe pajisjeve frigoriferike do të paguhet një tarifë doganore në masën 10 për qind, nga 2 përqind që është aktualisht. Çdo vit, Shqipëria rezulton se importon nga Kina, Rumania e Polonia rreth 91 mijë njësi frigoriferike, nga të cilat rreth 50 mijë janë frigoriferë ndërsa pjesa tjetër janë pajsije që përdoren në industri të caktuara.
Në listën e kodeve ekzistuese kishte një diferencim në llojet e pajisjeve frigoriferike që imoportoheshin duke përcaktuar për njërën kategori tarifën 2 % e për tjetrën 10 %. Me këtë ndryshim, do të ketë vetëm një tarifë, në masën 10 për qind.
“Nga diferencimi i tarifave doganore në këto kode vihet re se çmimi mesatar për njësi frigoriferike është i ndryshëm, duke sjellë problematika të konkurrencës së ndershme” shkruhet në relacionin e nismës së depozituar në Kuvend, në kuadër të paketës së re fiskale.
E sa i përket ndikimit në buxhet, referuar relacionit, është pozitiv në masën 50 milionë lekë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.