Nga 2018, vetëm 195 magjistratë kaluan Vetting-un – Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bën bilancin e shkarkimeve dhe dorëheqjeve
Vetëm 195 gjyqtarë e prokurorë kanë arritur ta kalojnë me sukses sitën e Vetting-ut. Në përmbledhjen e punës që prej vitit 2018, Komisioni i pavarur i Kualifikimit raporton se ka kaluar në sitë 507 prej tyre, në një kohë që për një pjesë të konsiderueshme ka ndërprerë hetimet për shkak të dorëheqjeve
Nga shkurti i vitit 2018, kur nisi aktivitetin, në sitën e shkallës së parë të Vetting-ut kanë kaluar 507 gjyqtarë prokurorë e ndihmës ligjorë. Në përmbledhjen e vendimeve të ndërmarra deri tani, Komisioni i pavarur i Kualifikimit raporton se një numër shumë i madh i tyre nuk e kanë kaluar dot këtë sitë, ndërkohë që për një numër të madh magjistratësh ka ndërprerë hetimet për shkak se ata janë dorëhequr në prag të procesit.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nga data 8 shkurt 2018 deri në datën 28 shkurt 2022 ka dhënë 507 vendime, ndër të cilët 195 vendime për konfirmimin në detyrë të 101 gjyqtarëve, 82 prokurorëve, 2 ish inspektor i KLD/kandidat për gjykatë apeli, 1 inspektore e komanduar në ILD dhe 9 ndihmësve/ këshilltarë ligjorë.
Në total janë dhënë 190 vendime për shkarkimin nga detyra të 117 gjyqtarëve, 70 prokurorëve, 1 inspektori në ILD dhe 2 ndihmësve ligjorë.
Komisioni ka marrë gjithashtu 77 vendime për ndërprerje të procesit për 47 gjyqtarë, 21 prokurorë, 2 ish inspektor në KLD dhe 7 ndihmësve ligjorë, kryesisht për shkak të dorëheqjeve të këtyre të fundit nga detyra përpara nisjes së procesit, ndërkohë që nuk kanë munguar as dorëheqjet e dhëna ndërsa procesi kishte nisur.
8 vendime për pushimin e procesit janë dhënë për 3 gjyqtarë, 1 prokuror dhe 4 ndihmës ligjorë në Gjykatën e Lartë ndërkohë që 35 vendime të tjerë janë dhënë për përfundimin e procesit për 22 gjyqtarë, 11 prokurorë dhe 1 (ish Kryeinspektori i KLD-së dhe 1 ish-Inspektori ILD (neni 95 i Kodit të Procedurave Administrative dhe neni 64 i ligjit nr. 96/2016); Komisioni ka marrë edhe 2 vendime për pezullimin nga detyra të 2 prokurorëve.
Si rezultat i shkarkimeve të shumta, në organikën e sistemit të drejtësisë mungojnë rreth 300 magjistratë, gjë që ka vënë në vështirësi shumë gjykata në gjithë vendin, veçanërisht ato të apeleve.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.