“Nga fotoja me Angela Merkel te punësimi në institucionet gjermane”- Kush është shqiptari që promovoi punën në “Bundestag-un gjerman” dhe falenderimet i shprehu në gjuhën shqipe!!!

Shqiptarët e suksesshëm në biznes por jo vetëm, kanë qenë prezentë në faqet e mediave kryesore në Gjermani, ditët e fundit.
Puna e tyre është pasqyruar edhe në institucionet drejtuese të shtetit gjerman.
Disa ditë më parë përshkruam jetesën, përpjekjet, sfidat e Fatos Xhafollit, sipërmarrësit shqiptar i cili i dha “jetë”, restorantit italian në Berlin, dhe që përbëhej nga punonjës shqiptarë nga Kosova e Shqipëria.
Së fundmi, një tjetër shqiptar i suksesshëm promovon punën e tij, jo në ndonjë website, as në ndonjë gazetë lokale, por në faqen zyrtare të Bundestagut gjerman.
Ai quhet Henri Haxhiraj. Nëse kërkon informacion për të mund të gjesh ndonjë “link” ku ekspozohen punimet e tij, në disa prej institucioneve gjermane.
Për një çast, nëse klikon në profilin e tij, mund të lexosh disa prej të dhënave personale si: Ka lindur në qytetin e Fierit, ka studiuar në Shqipëri në Fakultetin e Ekonomisë, si dhe është diplomuar dhe ka marrë shumë kualifikime në universitetet dhe institucionet gjermane.
Por ajo çfarë të bie menjëherë në sy është një foto e realizuar me kancelaren gjermane Angela Merkel. Madje mes rreshtave, mund të lexosh një postim të përmbledhur vetëm me pak fjalë, ndërkohë që ai kishte javën e fundit të punës në Parlamentin gjerman, ku më tej shkruan: “Gjatë javës së fundit në Parlamentin Gjerman, Angela Merkel nuk mund të më lejojë të shkoj, pa marrë një fotografi me të”, shkruan Henri Haxhiraj në rrejtët sociale.
Por pak më shumë në lidhje me veprimtarinë e Henrit, na njeh edhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Gjermani, ku në një postim në rrjetet sociale shkruhet:
“Kur flasim për të arriturat e studentëve shqiptarë anë e mbanë botës, mund të theksojmë se çdo ditë e më shumë po na bëjnë krenarë me prejardhjen dhe fuqinë intelektuale që ata posedojnë. Një ndër ta është Henri Haxhiraj nga Shqipëria. Gjatë punës praktike në Bundestag, ai arriti të krijojë përshtypje shumë të mira personale dhe atdhetare, duke bërë që përvojën dhe punën e tij ta publikojnë në website-in e Bundestag-ut.
E veçanta në këtë publikim është mbishkrimi në shqip ku thuhet “Faleminderit për kohën e bukur”, shkruhet në postimin e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Gjermani, raporton SCAN.
Kërkohet punë dhe përpjekje për të qenë i suksesshëm, shpesh herë edhe sakrifica. Por si Fatos Xhafolli edhe Henri Haxhiraj ia kanë dalë të lënë një emër të mirë, në një vend të huaj, falë përpjekjeve dhe përkushtimit në punën e tyre.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.