Nga investimet e Grillo-s deri tek dorëheqja e tij, shëmbëlltyra e trishtë e Luigi Di Maio!
Luigi Di Maio në tetë vitet e fundit ka bërë një karrierë marramendëse politike: nga një i huaj i përsosur i politikës ai u bë fillimisht nënkryetar i Dhomës, më pas kreu politik i M5S (partia e parë në Itali) nën kryeministër, Ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe i Punës, dhe më pas i Jashtëm. Deri në zbritjen e shpejtë, të provokuar nga humbjet në zgjedhjet rajonale dhe europiane, të cilat nxitën opozitën e brendshme e deri së fundmi në dorëheqjen e tij.
Tani që popullariteti i tij është zvogëluar pas dy koalicioneve të njëpasnjëshme ai ka dhënë dorëheqjen si udhëheqës, duke thënë “një epoke po i vjen fundi”. Votuesit do të shkojnë në votime në rajonin verior të Emilia-Romagna të Dielën në një provë të madhe për qeverinë.
Nacionalistët e krahut të djathtë atje shpresojnë t’i japin fund dekadave të sundimit të qendrës së majtë. Humbja për Partinë Demokratike në pushtet mund të rrezikojë qeverinë, e cila përbëhet si nga e majta e qendrës ashtu edhe nga Pesë Yjet e Di Maios.
Megjithëse ai do të qëndrojë si ministër i jashtëm, vendimi i Di Maio, 33 vjeç, të tërhiqet dobëson një administratë tashmë të lëkundur. Në fjalimin e tij të lamtumirës në Tempullin e Hadrianit në Romë, ai përshkroi Pesë Yjet si një “projekt vizionar që nuk u arrit kurrë më parë dhe pa asnjë tjetër të ngjashëm në botë”. Rezultatet do të vijnë, këmbënguli ai, duke shtuar: “Na nevojitet kohë për të zgjidhur rrëmujën e bërë nga ata në pushtet në 30 vitet e fundit”.
Pse u largua Di Maio?
Sondazhet paraprake pikturojnë një pamje shqetësuese për Pesë Yjet përpara zgjedhjeve të së dielës në Emilia-Romagna. Partia zvarritet në vendin e tretë në sondazhet e opinioneve në rajonin e pasur të veriut, ku Liga e Salvinit qëndron në të njëjtin vend me Partinë Demokratike në pushtet.
Shkatërrimi i qendrës së majtë pas 75 vjetësh si forcë rajonale do të ishte një arritje e madhe për Ligën. 5 Yjet gjithashtu kanë parë probleme mes deputetëve dhe senatorëve, pjesërisht për shkak të udhëheqjes së Di Maio. Di Maio u tha mbështetësve në Romë se ishte një moment i vështirë për Pesë Yjet dhe ishte koha që partia të “rindërtohej”.
Ai sulmoi kritikët e brendshëm të partisë dhe këmbënguli që pas 20 muajsh në qeveri, ishte shumë herët për t’u gjykuar. Kjo ishte arsyeja pse ajo duhet të mbetet në qeveri, tha ai. Pesë Yje do të drejtohet nga një udhëheqës i përkohshëm derisa të vendosë për një figurë të re në një kongres partie.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.