Nga Zvicra në Kinë me Tesla përmes Shqipërisë dhe dasma në Kosovë

Mbi 700 vjet pasi Marco Polo bëri rrugën drejt Kinës për arsye tregtare, rrjetin e vjetër të karavanëve të quajtur ‘Rruga e Mëndafshit’, një çift nga Gjermania vendosi se mund të bënte të njëjtën gjë me makinën e tyre elektrike Tesla.
Problemi kryesor do të ishte mungesa e stacioneve të karikimit, por Benedikt Ummen dhe e dashura e tij Magdalena Witty ishin të vendosur të bënin diçka që nuk e kishte bërë askush tjetër më parë.
“Motoja ishte që në fillim: ‘Dil jashtë Europës’. Ne donim të përjetonim sfida”, thonë ata.
Rruga do të kalonte nga Zvicra në Austri, Sloveni, Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, e më pas Mali i Zi, Shqipëri, Kosovë, e Bullgari.
“Fillimi ishte shumë lodhës. Ne udhëtonim shumë gjatë çdo ditë dhe ishim gjithashtu të keqorganizuar”, thotë Ummen, i cili ka mbaruar për inxhinieri mekanike.
Nga mbulimi i rrugëtimit në Instagram, çifti duket se ka ndaluar edhe në Shkodër, në një servis.
Eksperienca e tyre e parë pozitive ishte në Kosovë, ku u ftuan në dasmë nga banorët e zonës në Gjilan. Në krye të rreshtit të makinave kur morën nusen, duke i rënë borisë, ishte sigurisht Tesla e tyre.
Pas disa qindra kilometrash, çifti vendosi të çlodhet në Stamboll për 4 ditë. Peizazhi i Gjeorgjisë dhe Armenisë i surprizoi të dy ata, së bashku me natyrën perëndimore të të sjellurit të njerëzve, çka theu paragjykimet që ata kishin.
Në kufirin me Iranin, një embargo e makinave nga Amerika e ndalon çiftin të hyjë në vend. Megjithatë, shtyrë nga kurioziteti dhe interesi tek makina, autoritetet i lejuan të hynin në vend.
“Atje u trajtuam si yje. Të gjithë donin të shihnin makinën e parë elektrike që kishte shkelur në Iran”, thotë Magdalena.
Gazetarët dhe kameramanët prisnin në hyrjen e hotelit, ndërsa versioni iranian i Top Gear bën një speciale gjysmë orëshe për çiftin në televizionin shtetëror.
Që atje, entuziazmi i tyre nuk u ndal as në Turkmenistan, i cili lejonte vetëm makina të bardha (Tesla ishte e zezë dhe e verdhë), e as në Uzbekistan e në Kazakistan, e më në fund në Kinë.
Pas turit gjashtëmujor, çifti është i lumtur që ndodhet në shtëpi dhe nuk ka ndërmend të ndërmarrë një udhëtim tjetër së afërmi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.