Ngadalësohen bizneset në Eurozonë – Ndikon fuqizimi i euros dhe shqetësimet mbi luftën tregtare

Aktiviteti i bizneseve në Eurozonë është ngadalësuar në nisje të tremujorit të dytë, megjithatë ka ruajtur normën e qëndrueshme të rritjes. Ndërkohë që arriti kulmin në Janar, performanca në bllokun e valutës së përbashkët është ngadalësuar prej fuqizimit të euros dhe shqetësimeve mbi luftën tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.
Indeksi PMI, që formohet nëpërmjet mijëra sondazhesh drejt firmave private dhe që shihet si një tregues i saktë i gjendjes ekonomike, mbeti i pandryshuar në Prill, në nivelin më të ulët në 14 muaj që preku gjatë Marsit prej 55.2 pikë. Për vendet anëtare, kishte përmirësime në Gjermani dhe Francë, që janë 2 ekonomitë më të mëdha të bllokut.
Sipas analistëve, shifra është ende inkurajuese dhe tregon për një rritje me 0.6% të ekonomisë gjatë tremujorit. Kjo është një tjetër provë për Bankën Qendrore Europiane që të nisë ngadalësimin e stimujve monetarë. Institucioni në Frankfurt do të përfundojë programin e blerjes së obligacioneve këtë vit dhe të nisë rritjen e normave të interesit në vitin 2019.
Sipas sondazhit, fabrikat po përballen me vështirësi nga rritja e euros, që ka shtuar rreth 2% kundër dollarit deri më tani për vitin dhe pritet të fuqizohet më tej.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.