Ngadalësohet ekonomia amerikane – Rritet me 2.1% në tremujorin e dytë, shton presionin ndaj FED
Rritja ekonomike në SHBA u ngadalësua më pak se parashikimet në tremujorin e dytë të këtij viti, pasi rritja e shpenzimeve konsumatore kompensoi rënien e eksporteve. Gjithsesi, investitorët janë të shqetësuar për shëndetin e ekonomisë më të madhe në botë. Raporti optimist i Departamentit të Tregtisë kishte edhe disa paralajmërime për ekonominë që zgjerohet për të dhjetin vit me radhë, që përbën një rekord më vete. Investimet e bizneseve u kontraktuan për herë të parë në më shumë se tre vite, ndërsa ndërtimi i shtëpive ra për të gjashtin tremujor me radhë.
Edhe shefi i Rezervës Federale, Jerome Powell, më herët gjatë këtij muaji, i cilësoi këta dy sektorë, si më të dobëtit të ekonomisë amerikane. Në këtë situatë, analistët mendojnë se Rezerva Federale do të ulë normat e interesit në takimin e së mërkurës, për herë të parë në një dekadë. Rezerva Federale vlerëson se janë rritur rreziqet ndaj ekonomisë, për shkak të goditjeve që ka marrë nga lufta tregtare me Kinën dhe ngadalësimit të ekonomisë globale. Prodhimi i Brendshëm Bruto në SHBA u rrit me 2.1% në tremujorin e dytë, nga 3.1% që ishte rritja në periudhën Janar-Mars. Ekonomistët e anketuar nga Reuters, parashikonin një rritje prej 1.8%.
Presidenti Donald Trump, i cili synon të mbështesë ekonominë nëpërmjet uljes së taksave, rritjes së shpenzimeve qeveritare dhe derregullimit, e ka akuzuar shpesh herë Rezervën Federale si fajtore për ngadalësimin e ekonomisë. Pas publikimit të të dhënave, dollari amerikan u rrit në nivelin më të lartë në 2 muajt e fundit përballë shportës së monedhave të tjera.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.