Ngadalësohet ekonomia franceze – Rritet me vetëm 0.2% në T2, ndikon tkurrja e konsumit
Ekonomia franceze u rrit me një ritëm më të ngadaltë se sa pritej në tremujorin e dytë, ndërkohë që rënia e shpenzimeve konsumatore gjatë grevave dhe sezonit të pushimeve ka dhënë ndikim më të madh se rritja e investimeve nga bizneset. Sipas të dhënave të agjencisë së Statistikave INSEE, ekonomia e dytë më e madhe e Eurozonës u rrit me 0.2%, që është e njëjta normë rritjeje me tremujorin e parë. Treguesi rezultoi poshtë projeksioneve prej 0.3%.
Shpenzimet konsumatore, që janë motori i rritjes së ekonomisë franceze, ranë me 0.1% nga tremujori i kaluar, kryesisht prej grevave në hekurudha dhe sezonit të pushimeve. Ndërkohë, investimet e bizneseve patën rritje me 1.1%, pas rritjes me vetëm 0.1% në tremujorin e parë. Importet patën rritje më të madhe se eksportet, ç’ka bëri qe tregtia t’i heq 0.3% rritjes totale për tremujorin e dytë.
Nga ana tjetër, akumulimi i inventarëve nga kompanitë i shtoi 0.3% treguesit përfundimtar. Zyra e Statistikave projektoi se ekonomia franceze do të rritet me 1.7% këtë vit, në rënie nga niveli rekord prej 2.3% i vitit 2017, për shkak të rritjes së çmimeve të naftës dhe shqetësimeve nga proteksionizmi.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.