Ngadalësohet ekonomia nr.1 – Rritja ekonomike në SHBA 0.7%, por Trump flet për çudira
Ekonomia amerikane u rrit me hapin më të ngadaltë në tre vite, gjatë tremujorit të parë të këtij viti, me vetëm 0.7%, si pasojë e stanjacionit të shpenzimeve konsumatore.
Të dhënat e bëjnë shumë të vështirë realizimin e objektivit të D.Trump për një rritje mbi 3% përgjatë të gjithë vitit. Ekspertët shprehen se, ky është ndoshta lajmi më i keq për Donald Trump në 100 ditët e para të qeverisjes së tij.
Kjo është performanca më e dobët që prej tremujorit të parë të vitit 2014. Por, këto të dhëna nuk e kanë ndaluar aspak presidentin amerikan që të vazhdojë të shfaqet ambicioz.
“Unë e besoj vërtet. Ne sot themi 3%, por unë them 4% rritje gjatë viteve të ardhshme. Madje them edhe se nuk ka asnjë arsye pse në një pikë në të ardhmen ne të mos arrijmë dot në një normë prej 5% rritje, apo edhe më shumë”– deklaroi Donald Trump.
Deklaratat e presidentit amerikan duken utopike deri diku, po të kemi parasysh situatën aktuale dhe rritjen ekonomike të vendit, prej vetëm 1.6% gjatë vitit të kaluar, që ishte edhe hapi më i dobët që prej vitit 2011.
Gjithsesi, të dhënat e tremujorit të parë flasin edhe për rritjen më të madhe të pagave në një tremujor gjatë dhjetë viteve të fundit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.