Ngadalësohet industria gjermane – Bien porositë prej kërkesës së dobët brenda vendit, nuk ndikon euro
Porositë industriale në Gjermani, ranë papritmas në muajin Korrik prej kërkesës së dobët të brendshme dhe nga jashtë, duke treguar shenja dobësie për ekonominë më të madhe të Europës. Fabrikat regjistruan një rënie me 0.7% në porositë, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Ekonomisë.
Megjithatë, ekonomistët thonë se rënia për muajin Korrik mund të jetë e përkohshme. Euro e fortë nuk ka limituar aktivitetin deri më tani, pasi porositë jashtë 19 vendeve të valutës së përbashkët janë rritur me 0.6%. Të dhënat tregojnë se kërkesa brenda vendit pati tkurrje me 1.6% ndërsa porositë nga jashtë mbetën të pandryshuara nga muaji i kaluar.
Porositë dhe treguesit mbi ndjesinë ekonomike, sinjalizojnë për një rimëkëmbje të sektorit. Të dhënat e fundit kanë treguar se numri i personave të papunë në Gjermani ka vazhduar të bie, ndërsa morali i konsumatorit është përmirësuar. Ekonomia e Gjermanisë u rrit me 0.7% në tremujorin e parë dhe me 0.6% në të dytin, nxitur nga shpenzimet e ekonomive familjare dhe shtetërore, si dhe investimet në ndërtesa dhe pajisje.
Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që ekonomia më e madhe e Eurozonës të rritet me 1.8% në 2017-ën dhe me 1.6% në vitin e ardhshëm.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.