Ngadalësohet inflacioni në Britani – Bie në 2.6%, lehtëson konsumatorët dhe Bankën e Anglisë
Inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar është ngadalësuar në muajin Qershor, duke ulur shqetësimet e zyrtarëve të Bankës së Anglisë për daljen nga kontrolli të nivelit të çmimeve. Zyra Kombëtare e Statistikave deklaroi se, norma e inflacionit ra në 2.6%.
Kjo është rënia e parë në treguesin me bazë vjetore që prej muajit Tetor 2016, ndërkohë që ekonomistët e prisnin të pandryshuar nga shifra e muajit Maj, në 2.9%. Të dhënat mund të zbusin argumentet e politikëbërësve për një rritje të menjëhershme të normave të interesit, ndërkohë që niveli i çmimeve pritej shumë sipër objektivit prej 2%. Ekonomia e Britanisë pritet të ngadalësohet, ndërkohë që konsumatorët po nisin të frenojnë shpenzimet, që përbëjnë kontribuesin kryesor të rritjes.
Paundi përmbysi trajektoren e rritjes, duke rënë me 0.2% në 1.3024 kundër dollarit, pas publikimit të të dhënave. Karburantet kanë pasur peshën më të madhe në ngadalësimin e nivelit të çmimeve, raporton zyra e Statistikave. Inflacioni bazë, që përjashton komponentët e luhatur të energjisë dhe produkteve ushqimore, ra në 2.4%, nga 2.6% që ishte në Maj.
Rënia e paundit me 12% që prej daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian, ka sjellë një rritje të menjëhershme të çmimeve. Banka e Anglisë do të lajmërojë vendimin e ardhshëm mbi politikat monetare më datë 3 Gusht, kur do të përditësojë gjithashtu projeksionet.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.