Ngadalësohet inflacioni në Britani – Pozitiv për konsumin, ndikimi i zhvlerësimit të paundit po zbehet
Inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar ra më shumë se ç’pritej gjatë muajit Shkurt, ndërkohë që ndikimi i rënies së paundit është zbutur.
Çmimet e konsumit u rritën me 2.7% me bazë vjetore, në rënie nga 3%-shi i Janarit, raporton Zyra e Statistikave në Londër.
Projeksionet e analistëve ishin për një rritje me 2.8%.
Sipas statisticienëve, rënia e lehtë në çmimet e karburantit dhe ushqimeve, kanë ndikuar te treguesi përfundimtar.
Paundi ra pas këtij raportimi, në 1.4042 kundrejt dollarit, pasi qe rritur bindshëm ditën e djeshme, kur u lajmëruar dakordësia për periudhën e tranzicionit me BE.
Ngadalësimi i inflacionit sjell lajme pozitive për konsumatorët, që kanë pësuar rënie të fuqisë shpenzuese në vitin e kaluar.
Banka e Anglisë pret që inflacioni bazë të bjerë më tej, ndërkohë që efektet e zhvlerësimit të paundit në 2016-ën po zbehen.
Megjithatë, Banka Qendrore gjykon se duhet të rrisë normat e interesit në muajin Maj.
Rritje ka pasur në komponentët; veshje dhe këpucë, mobilje dhe pajisje shtëpiake. Indeksi i çmimeve të prodhimit u rrit me 2.6% me bazë vjetore.
Rritja e çmimit të shtëpive u ngadalësua në 4.9% në Janar, duke e çuar mesataren në Mbretërinë e Bashkuar në 226 mijë paund, apo 318 mijë dollarë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.