Ngadalësohet inflacioni në Eurozonë – Shpjegon qasjen e kujdesshme të BQE në heqjen e suportit monetar
Inflacioni në Eurozonë është ngadalësuar në nivelin më të ulët në 14 muaj gjatë Shkurtit, duke shpjeguar qasjen e kujdesshme të Bankës Qendrore Europiane në heqjen e stimujve, pavarësisht rritjes ekonomike më të fortë në 1 dekadë.
Inflacioni në 19 vendet e valutës së përbashkët u ngadalësua në 1.2% nga 1.3% që ishte në Janar, që është larg nivelit objektiv të institucionit në rreth 2%. Inflacioni bazë që heq çmimet e luhatura të energjisë dhe produkteve të papërpunuara të ushqimit, qëndroi në 1.2%.
Me synim që të rrisë nivelin e çmimeve drejt objektivit, BQE ka blerë mbi 2 trilionë euro borxh në tre vitet e fundit, për të nxitur investimet dhe konsumin. Ndërkohë që papunësia ka rënë ndjeshëm dhe rritja ekonomike është përshpejtuar, politikëbërësit kanë bërë të ditur se programi prej 2.55 trilionë euro ka dhënë efektin e synuar dhe mund të përfundojë këtë vit.
Megjithatë, ekzistojnë ende shqetësime, ndërkohë që çmimet e konsumit pritet të qëndrojnë në nivelin aktual në muajt që vijnë, përpara se të rriten në 1.5% gjatë mesit të këtij viti, prej rritjes së çmimeve të naftës. Euro e fortë shihet gjithashtu si një faktor në qasjen e BQE.
Në një fjalim ndaj ligjbërësve europianë këtë javë, presidenti i institucionit Mario Draghi, tha se faktorët që po frenojnë inflacionin janë të përkohshëm, duke mbështetur pritshmëritë e publikut për një vendim më vonë gjatë vitit në reduktimin e stimujve. Megjithatë, edhe pasi blerja e obligacioneve të përfundojë, banka pritet të vazhdojë ofrimin e suportit monetar nëpërmjet normave negative të interesit dhe zotërimet gjigante të borxhit qeveritar, që do të mbajnë yield-in e ulët.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.