Ngadalësohet rimëkëmbja e naftës – Çmimet “tërhiqen” lehtë. Investitorët presin më shumë të dhëna për Omicron

Çmimet e naftës janë ngadalësuar në tregtinë e së Mërkurës, pas rritjeve më herët gjatë javës, ndërkohë që investitorët po presin më shumë informacion mbi përmasën që varianti Omicron i koronavirusit do të godasë ekonominë botërore dhe kërkesën për naftë. Nafta Brent e Londrës ra me 40 cent apo 0.5% në 75.04 dollarë për fuçi, pasi shtoi mbi 3.2% në ditën e Martë. Nafta Bruto amerikane ra me 55 cent apo 0.8% në 71.5 dollarë për fuçi, pasi u rrit me 3.7% në tregtinë e mëparshme.
Pas kolapsit në javën e kaluar, çmimet e naftës janë rimëkëmbur më herët këtë Javë prej rritjes së optimizmit se Omicron nuk do të shkaktojë dëm të madh ekonomik. Analistët thonë se rimëkëmbja e çmimeve ndaloi, ndërkohë që investitorët po përpiqen të konfirmojnë ndikimin e plotë të Omicron, përpara se të blejnë mëtej. Varianti Omicron mund të shmangë mbrojtjten nga 2 dozat e vaksinës së Pfizer, sipas një studimi të Institutit Afrikan të Hulumtimeve Shëndetësore. Tregu është përqëndruar gjithashtu tek bisedimet bërthamore me Iranin, tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës si dhe tek moti në Hemisverën e Veriut.
Bisedimet mes Washingtonit dhe Teheranit arritën në një ndalesë javën e kaluar, pasi zyrtarët amerikanë u treguan të pakënaqur ndaj kërkesave iraniane. Gjermania deklaroi se kërkon që Irani të prezantojë propozime realiste në negociatat për programin bërthamor. Ndërkohë, presidenti Joe Biden paralajmëroi presidentin rus Vladimir Putin se perëndimi do vendosë sanksione të forta ekonomike ndaj Rusisë nëse sulmon Ukrainën. Biden paralajmëroi se do vendosë sanksione, do ndërpresë gazësjellësin Rrjedha e Veriut 2 në Europë dhe se NATO do shtojë fuqinë mbrojtëse në Ukrainë. Në lidhje me inventarët e naftës, tregu reagoi pak. Inventarët e naftës bruto ranë në javën e kaluar, ndërsa të benzinës u rritën, sipas Institutit Amerikan të Naftës.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.