Ngec inflacioni – 2.1% edhe për muajin maj
Inflacioni qëndroi i palëvizshëm edhe në muajin maj, pranë kufirit të poshtë në objektivit të Bankës së Shqipërisë. Sipas të dhënave nga INSTAT, rritja vjetore e indeksit të çmimeve të konsumit ishte 2.1%, në të njëjtin nivel me muajin prill. Ky është i muaji i katërt radhazi që inflacioni qëndron mes nivelit 2% dhe 2.1%. I detajuar sipas grupmallrave, inflacioni pësoi rënie në grupet e ushqimeve dhe veshjeve, ndërsa kjo rënie u kompensua nga inflacioni më i lartë në grupin e transportit, i përcaktuar kryesisht nga rritja e çmimit të karburantit.
Ky balancim bëri që inflacioni mesatar të mos ndryshojë nga prilli, ndërsa matjet e muajve të fundit po tregojnë se kthimi i inflacionit në objektiv do të jetë më i vështirë se parashikimet e mëparshme të Bankës së Shqipërisë. Banka Qendrore e ka shtyrë kthimin në objektiv rreth fundit të vitit 2019. Përveçse me mosshfrytëzimin e plotë të kapaciteteve të rritjes së ekonomisë, së fundmi, frenimi i inflacionit po kushtëzohet gjithnjë e më shumë nga faktorë që nuk lidhen me kërkesën.
Një ndikim në rritje ka pasur mbiçmimi i lekut kundrejt euros, që ka neutralizuar presionet e jashtme për rritjen e çmimeve. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë vendosi të mërkurën të ulë normën bazë të interesit në minimumin historik prej 1%, ndërsa shpalli edhe nisjen e operacioneve për blerje të euros, me qëllim nënçmimin e lekut në kursin e këmbimit.
Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë po jep efekte të shpejta dhe në dy ditët e fundit monedha europiane ka fituar mbi tre pikë në kursin e këmbimit me lekun. Të premten euro këmbehej me afro 127.6 lekë. Nëse ringritja e euros do të jetë e qëndrueshme, ky mund të jetë një faktor me ndikim te inflacioni për muajt në vijim.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.