Ngërçi i kredisë – Ecuri e dobët edhe gjatë prillit

Kreditimi i ekonomisë rezultoi i dobët edhe për muajin prill. Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, kredia arriti vlerën e 545.3 miliardë lekëve, me një rënie prej rreth 2.5 miliardë lekësh krahasuar me marsin.
Me bazë vjetore, kredia është praktikisht në stanjacion, me një rënie prej 0.4% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Kreditimi ende nuk po arrin të fitojë kuotë. Megjithëse në daljet e fundit publike Guvernatori Gent Sejko ka folur për një rritje vjetore të kreditimit me rreth 3%, kjo llogari përfshin edhe kreditë e këqija, të nxjerra jashtë bilancit prej bankave.
Pa përfshirë kreditë e fshira, portofoli i kredisë ngelet në rënie dhe nuk ka sinjale për një përtëritje të shpejtë, me gjithë një ecuri pozitive në segmente të veçanta, sidomos tek kreditimi i individëve dhe tek kredia në monedhën vendase në përgjithësi. Kreditimi i biznesit ngelet ende një pikë e dobët, përcaktuese për rënien e kredisë. Po të kemi parasysh se kredia për biznesin përbën rreth 62% të totalit, është e kuptueshme se një rritje e mirëfilltë e kreditimit është shumë e vështirë pa zgjeruar huadhënien për sipërmarrjen.
Sidoqoftë, periudhat parazgjedhore në Shqipëri janë të shoqëruara me një sjellje hezituese të bizneseve në ndërmarrjen e investimeve të reja. Ky mund të jetë një faktor po e ndikon kreditimin në gjysmën e parë të vitit.
Por, muajt e parë të vitit 2017 kanë qenë pozitive në drejtim të uljes së nivelit të kredive me probleme, që, siç deklaroi guvernatori Sejko javën e kaluar, kanë zbritur në 16.5%. Ulja e kredive me probleme është një faktor shumë i rëndësishëm në ecurinë e ofertës së sistemit bankar për kredi, ndaj, kjo rrit shpresat për një përmirësim gradual të huadhënies gjatë gjysmës së dytë të vitit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.