Ngjashmëri fizike? – Është çështje personaliteti!

Për mendjen tonë, dy individë me personalitete të ngjashme janë gjithashtu fizikisht të ngjashëm: është një paragjykim që shtrembëron perceptimin tonë.
Njohja e personalitetit të një personi ndikon në atë se si ai fizikisht na shfaqet. Me fjalë të tjera, nëse mendojmë se dy individë kanë një karakter të ngjashëm, në sytë tanë ata do të jenë fizikisht të ngjashëm gjithashtu. Kjo është ajo që u zbulua nga një hulumtim i botuar në Cognition, i cili zbuloi se mendja jonë, kur duhet të gjykojë ngjashmërinë midis dy njerëzve, shkakton një paragjykim njohës, domethënë një paragjykim që shtrembëron perceptimin tonë.
Hulumtimi përfshiu njerëz të seksit, racës dhe etnisë të ndryshme: përmes kompjuterit, pjesëmarrësit duhej të gjykonin ngjashmërinë fizike midis disa njerëzve të famshëm (aktorë, politikanë, këngëtarë: të gjithë meshkuj të bardhë për qëndrueshmëri estetike). Në përgjithësi, kur pjesëmarrësit besuan se dy individë kishin personalitete të ngjashme, ata gjithashtu gjykuan se pamja e tyre fizike ishte e ngjashme.
Studiuesit më pas u treguan pjesëmarrësve fotografi të njerëzve të panjohur: përsëri, nëse u thuhej se dy persona kishin personalitete të ngjashme, ata automatikisht i njihnin ata si më shumë të ngjashëm fizikisht. “Studimi ynë tregon se njohja e identitetit të fytyrës nuk bazohet vetëm në karakteristikat fizike, por ndikohet nga ajo që ne tashmë dimë për karakterin e atij që ne po vëzhgojmë,” shpjegon Jonathan Freeman, një nga autorët.
Për të kontrolluar që përgjigjet ishin me të vërtetë rezultat i një procesi njohës të pavetëdijshëm, studiuesit përdorën një softuer novator që kontrollon lëvizjet e mouse-it: duke parë sesi lëvizi treguesi, programi ishte në gjendje të identifikonte çdo pavendosmëri më të vogël të pjesëmarrësve, duke zbuluar tendencat e pavetëdijshme. Herën tjetër kur të gjeni veten duke gjykuar ngjashmërinë midis dy njerëzve, pyesni veten: a ngjajnë vërtet me të, apo është një mashtrim i mendjes? (Focus)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.