“Ngjitet” bujqësia, “bie” blegtoria – Eksportet bujqësore rriten me 2.4 miliardë lekë
Shqipëria ka eksportuar rreth 32.8 miliardë lekë produkte bujqësore gjatë vitit që lamë pas, me një rritje prej rreth 2.4 miliardë lekë krahasuar me 2017-ën, duke performuar pozitivisht nga viti në vit. Referuar shifrave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, nga të 4 zërat që përbëjnë hartën e eksporteve, bujqësia renditet në vendin e parë, me rreth 14.3 miliardë lekë me një rritje modeste prej 700 milionë lekësh.
Ndërkohë vendin e dytë e mbajnë produktet agroindustriale, ku gjatë vitit 2018 eksportet kanë arritur në rreth 13. 4 miliardë lekë. Po ashtu, ecuri pozitive ka pasur edhe sektori i peshkimit, ku janë eksportuar rreth 5,2 miliardë lekë produkte. Ndërsa, pavarësisht rritjes që shënoi në gjysmën e parë të vitit, sektori i blegtorisë në total ka rezultuar në rënie me 31 milionë lekë krahasuar me 2017-ën, ku eksportet janë regjistruar në vlerën e 863 milionë lekëve.
Sa i takon importeve, gjatë vitit që lamë pas, kanë pësuar një rënie të lehtë, duke u regjistruar në vlerën e 111.7 miliardë lekëve. Deficiti tregtar në këtë sektor llogaritet në rreth 78.9 mld lekë.
Eksportet bujqësore 2018
Bujqësia 14.3 mld lekë
Agroindustria 13.4 mld lekë
Peshkimi 5.2 mld lekë
Blegtoria 863 mln lekë
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.