“Ngjyroset” Mamurrasi. Shpallet tenderi për transformimin e qytetit/ FOTO
Bashkia Kurbin ka shpallur tenderin me fond 34.4 milionë lekë, në kuadër të rehabilitimit të blloqeve të pallateve dhe fasadës së Mamurrasit. Sipërfaqja e zonës është rreth 6.2 hektarë dhe fillon në aksin kryesor të rrugës nga veriu i shkollës 9 vjeçare dhe kufizohet në perëndim nga rruga “Mimozat”.
“Në brendësi të kësaj zone ndodhen objekte të ndërtuara rreth viteve 1960-1970 me lartësi katesh 3-5 kate, por gjejmë gjithashtu dhe objekte të ndërtuara gjatë viteve të fundit me lartësi katesh 8-9 kate. Gjithashtu në brendësi të kësaj zone gjejmë dhe gjurmë shtesë objektesh të ndërtuara pa leje ndërtimi dhe në mënyrë informale, disa prej të cilave do t’i nënshtrohen prishjeve me qëllim krijimin e hapësirave publike” specifikohet në detajet e dokumentacionit të tenderit.
Projekti parashikon riparimin e rifiniturave të fasadave si dhe riparimin dhe ndërtimin e rrjetit rrugor në brendësi të bllokut të banimit.
“Gjithashtu pjesë e projektit janë dhe rivitalizimi urban nëpërmjet sipërfaqeve të gjelbërta, hapësirave rekreacionale, shesheve dhe stolave të pushimit. Gjithashtu sipërfaqe dhe ambiente sportive janë parashikuar dhe në brendësi të bllokut duke shfrytëzuar fasadat kallkan ndërmjet objekteve. Shtresat e trupit të rrugës janë përshkruar në projektin e zbatimit” shpjegohet më tej.
Tenderi i shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik do të qëndrojë i hapur deri në 23 nëntor, me një afakt ekzekutimi 35 ditor që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.