Ngrihet njësia speciale antikorrupsion/ Kontroll mbi administratën, ndëshkim praktikave abuzive!
Qeveria ka vendosur të ngrejë njësinë speciale antikorrupsion dhe antievazion për tu kujdesur që nuk do të ketë shkelje të ligjit nga ana e punonjësve të institucioneve publike, duke u nisur edhe nga rastet e fundit të ndodhura në tatime dhe dogana, si mashtrimet me skemën e TVSH. Sipas vendimit të qeverisë i cili ka hyrë në fuqi, njësia do të jetë në varësi të kryeministri dhe ka si qëllim të zbulojë, trajtojë dhe ndëshkojë praktikat abuzive, korruptive apo arbitrare. Në vendim përcaktohet konkrerisht se Njësia mbikëqyr veprimtarinë inspektuese të institucioneve publike në ndëshkimin e rasteve korruptive; Koordinon institucionet për nisjen e hetimeve administrative apo auditimeve, kryesisht, me indicie nga institucione publike apo me kërkesë të subjekteve të interesuara, në rast dyshimi për praktika korruptive, që lidhen me veprimtarinë e institucioneve publike; mbledh, analizon dhe verifikon të dhëna e prova nga burime të ndryshme, duke kryer të gjitha veprimet e nevojshme në funksion të përmbushjes së detyrave, për aq sa nuk bien në kundërshtim me legjislacionin në fuqi; referon praktikat korruptive dhe abuzive në prokurorinë kompetente, në rast dyshimi për konsumimin e elementeve të veprës penale; Kryen verifikime dhe kontrolle pranë të gjitha institucioneve publikje, në funksion të garantimit të trajtimit dhe ndjekjes së rasteve korruptive apo abusive.
Njësia speciale do të përqendrohet në rastet korruptive, abuzive apo të shpërdorimit të strukturave në:
Administratën publike;
b) Shërbime publike;
c) Regjim i tokës (kompensimi, legalizimi, qiraja, koncesionet etj.)
ç) Leje, licenca dhe autorizime
d) Prokurim publik;
dh) Shkelje të mundshme penale në fushën tatimore dhe doganore.
Çdo institucion është i detyruar të vendosë në funksion të njësisë dokumentet dhe materialet e kërkuara. Punonjësit e Njësisë, përfshirë punonjësit me kohë të plotë nga institucionet e tjera, përfitojnë shtesë mbi pagë në masën 50 mijë lekë në muaj, ndërsa punonjësit me kohë të pjesshme përfitojnë shtesë mbi pagë në masën 25 mijë lekë në muaj.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.