“Ngritja e infrastrukturës së gazit, emergjente” – ERE: Është ekonomike dhe ndikon në uljen e ndotjes së ambientit

Enti Rregullator i Energjisë e konsideron si tepër emergjente ngritjen e infrastrukturës së gazit në vendin tonë. Në raportin vjetor, te depozituar në Kuvend, ERE thekson se përdorimi i gazit jo vetëm që është më ekonomik, por ka edhe emetime shumë herë më të vogla, duke ulur në masë të konsiderueshme ndotjen e ambientit. Sipas Entit Rregullator të Energjisë, konsumatori i parë duhet të jetë TEC-i i ndërtuar në Vlorë, i cili ende nuk është vënë në funksion.
“Theksojmë se me vendosjen në punë të TEC-it me gaz kostoja e importit të energjisë elektrike përgjysmohet si dhe do të ndikojë në uljen e humbjeve teknike për jugun e Shqipërisë”,-thuhet ndër të tjera në raport. Gjithashtu, theksohet se zhvillimi i projektit IAP apo thënë ndryshe gazsjellësi Adriatiko-Jonian (Ionian Adriatic Pipeline) është i rëndësishëm sepse do të shërbente si një magjistral kryesor ku do të furnizonte të gjitha qytetet e shqipërisë që nga Fieri e deri në Shkodër, dhe jo vetëm, por do të shërbente edhe një nyje lidhëse me rajonin tone: Mali i Zi, Kosovë, Bosnje – Hercegovina deri në Kroaci.
Një tjetër projekt që duhet të zhvillohet sipas ERE-s është edhe ruajtjen nëntokësore të gazit në rajonin e Dumresë së bashku me projektin e Gazit të lëngshëm natyror, që do ta bënin vendin tonë një nyje për rajonin ku ndodhemi. Aktualisht, nga Shqipëria nuk del gaz, ndërsa sipas ERE-s mbetet pezull rrjeti i transmetimit të gazit dhe rezervimi i kapacitetit në Fier ose në Kuçovë i planifikuar për pikat e daljes.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.