Nikolla qartëson rritjen e çmimit për tekstet shkollore – Premton mbështetje për mësuesit që japin mësim në shkolla me rezultate të ulëta

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka prezantuar sot para kuvendit programin qeverisës në fushën e edukimit në mandatin e ardhshëm.
Ndër objektivat që do të realizohen brenda 100 ditëve të para, ministrja është shprehur se do të qartësohen fushat prioritare të zhvillimit të vendit dhe nevojat e tregut të punës për profesionistë. Në këtë mënyrë, qeveria do të mund të hartojë një strategji për të përmbushur nevojat për profesionistë.
Një zhvillim i rëndësishëm që ka të bëjë me përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies përfshin trajnimin e 20 mijë mësuesve dhe krijimin e një fondi të veçantë mbështetjeje për mësuesit e kualifikuar që japin mësim në shkolla me rezultate më të ulëta.
Ministrja Nikolla ka dashur të sqarojë edhe mbi situatën e shpërndarjes së teksteve shkollore dhe pretendimeve për rritjen e çmimit.
“I referoheni rritjes së çmimit për klasën e 6-të, por ka dy tekste shkollore më shumë. Edhe për klasën e 11-të. Vërtetë është rritur çmimi me 21%, por ka tre tekste më shumë, prandaj çmimi në të vërtetë nuk është ngritur, por është ulur me 8.6%”, tha Nikolla.
Prioritet në programin e ardhshëm për arsimin do të jetë edhe avancimi në shpërndarjen e teksteve shkollore falas, duke e rritur numrin e përfituesve, nga 30% që është sot.
Nikolla zbuloi gjithashtu propozimin për unifikimin e arsimit parashkollor, duke ofruar një kurrikulë deri në klasën e 11-të, ndërsa profilizimi të bëhet në maturë.
Sakaq, studentët do të mund të përfitojnë nga një shërbimi i cili nuk ofrohet prej kohësh, siç është karta e studentit. Ministrja tha se kjo kartë e cila do të realizohet në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, do të ofrojë akses për studentët në jetën dhe aktivitetet kulturore të qytetit.
Ndërkohë në fushën e sportit, Nikolla lajëmroi krijimin r Federatës Studentore, e cila do të ofrojë një jetë më të larmishme sportive si në arsimin para- dhe atë pas- universitar.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.