Nis aksioni për prishjen e furrave gëlqerore – Klosi: Vepra kriminale, ndëshkimet do të jenë të ashpra

Ka nisur sot aksioni për prishjen e furrave të paligjshme gëlqerore në zonën e Malit të Krujës, ku do të bëhet eliminimi i 33 gropave të tilla.
I pranishëm në prishjen e furrës së parë në Borizane nga ISHMP, IKMT dhe Policia e Shtetit, ku janë identifikuar edhe furra të tjera ishte Ministri I Turizmit dhe Zhvillimit Rural, Blendi Klosi.
Klosi tha se ky është vetëm aksioni i parë që bëhet në kuadër të mbrojtjes së maleve nga shfrytëzimi që po i bëhet, duke theksuar se ndëshkimet do të jenë të ashpra.
“Sot jemi së bashku me forcat e policisë, Institutin e Ndërtimit, po ashtu me Inspektoratet që kanë të bëjnë me Policinë Ndërtimore dhe po ashtu me Inspektoratin e Mjedisit për të kryer një operacion të parë, i cili do të eliminojë 33 gropa gëlqerore, që janë gjatë gjithë Malit të Krujës deri në eliminimin e tyre të plotë dhe për të patur mundësi që të evidentohen dhe shkaktarët të cilët kanë realizuar këto vepra kriminale. Këto janë vepra kriminale, pasi jo vetëm dëmtojnë mjedisin, por po të shohim gjithë materialet që digjen këtu janë nga helmuesit më të mëdhenj të natyrës dhe krijojnë një shqetësim shumë të madh për banorët e zonës”, është shprehur Klosi.
Ndërkohë, shtoi më tej se gjatë muajit mars do të ndërmerren të tjera aksione të cilat kanë për qëllim evidentimin e problemeve mjedisore, që përfshijnë edhe ndotjen mjedisore.
Ai ftoi të gjithë qytetarët që të vazhdojnë të jenë bashkëpunues duke denoncuar çdo krim mjedisor në portalin e bashkëqeverisjes. Ndërkohë, ky aksion i ndërmarrë për furrat e paligjshme ka ardhur pas denoncimit të një qytetari në portalin shqipëriaqëduam.al.
“Kjo që shohim këtu është një masakër e vërtet për banorët e zonës. Prandaj vazhdoj t’u bëj thirrje me forcë banorëve të zonës, që të njoftojnë organet e rendit, të njoftojnë Inspektoratin e Ndërtimit, të njoftojnë Inspektoratin Mjedisor, të njoftojnë në Platformën e bashkëqeverisjes, pasi ky është një krim që ndodh për jetën e vetë qytetarëve, dhe jo më pastaj për të kuptuar se sa nevojë kemi ne për të ndërruar gjithë sistemin e menaxhimit të mbetjeve në vendin tonë, pasi në këtë gropë gëlqerore bëhen bashkë disa krime mjedisore, të cilat duhen goditur që në gjenezën e tyre, kjo është mënyra e menaxhimit të mbetjeve.”
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.