Nis “beteja” me Italinë – Rrezikon gjobë. BE ndërmerr procedurat e disiplinës
Komisioni Europian ndërmori hapin e parë drejt disiplinës për Italinë për buxhetin e vitit 2019, por Roma bëri të ditur se nuk synon të ndryshojë planin e shpenzimeve. Kjo ka nisur një betejë që pritet të zgjasë dhe që mund të rezultojë në gjoba.
Komisioni deklaroi se buxheti, që pritet të rrisë deficitin në 2.4% të PBB nga 1.8% që pritet këtë vit, përbën një çështje serioze të mospërputhjes me rekomandimet. Krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian nisi “procedurën e deficitit të tepërt”, bazuar në faktin se borxhi i madh i Italisë nuk do të bjerë si ç ’kërkohet nga rregullat e Komisionit.
Borxhi i Italisë qëndron në 130% të PBB dhe është i dyti më i lartë në Eurozonë pas Greqisë. Zv/Presidenti i Komisionit Europian, Valdis Dombrovskis, tha se plani i shpenzimeve do të ketë ndikim negativ në rritjen ekonomike.
“Italia po përballet me një procedurë të deficiti të tepër të lidhur me borxhin. Ndikimi i këtij buxhet në rritjen ekonomike do të jetë negativ. Buxheti i vitit 2019 nuk përmban masa të konsiderueshme që nxisin potencialin ekonomik dhe ka gjasa të ndodhë e kundërta.” – ka deklaruar Dombrovskis.
Komisioni, që kontrollon buxhetet në përputhje me rregullat e Bashkimit Europian përpara se të votohen në parlament, refuzoi argumentin e Romës se rritja e shpenzimeve do të nxisë ekonominë dhe ulë borxhin publik.
Komisioni mbështeti argumentet e qeverive të Eurozonës se plani i Italisë mund të shkaktojë një tjetër krizë të borxhit në Eurozonë që do të dëmtojë të gjithë rajonin. Procedura e deficitit të tepërt mund të rezultojë në gjoba kundër Italisë, që do të jetë dhe hera e parë që krahu ekzekutiv merr këto masa.
Në Romë, qeveria populiste ka injoruar paralajmërimet. Zv/Kryeministri Matteo Salvini ka thënë se është i bindur për ndikimin në ekonomi të rritës së shpenzimeve dhe e cilësoi gjobën ndaj Italisë si mungesë respekti.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.