Nis konkursi i specializimeve, Manastirliu: Këtë vit 249 kuota për mjekë specialistë

249 mjekë të rinj do të fillojnë këtë vit specializimet në Mjekësi, deklaroi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Sot nisi faza e parë e konkursit, ku u testuan me gojë 333 kandidatë.
“Pas 4 vitesh ndërprerje, specializimet jo vetëm po vijojnë çdo vit, por kuotat janë shtuar, duke krijuar më shumë mundësi për diplomimin e mjekëve specializantë për të plotësuar në këtë mënyrë nevojat me mjekë në të gjithë vendin. Këtë vit janë 249 kuota, nga të cilat 125 janë kuota të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pra mjekë specialistë që në përfundim të studimeve do të shërbejnë në spitalet tona, aty ku ka nevoja për mjekë sipas specialiteteve”, tha Manastirliu.
Pas fazës së parë të konkurrimit e cila u përmbyll sot, do të zhvillohet faza e dytë, ajo e dosjeve për secilin kandidat dhe faza e tretë është ajo e testimit me shkrim.
Këtë vit diplomohen 40 mjekët e parë specialistë, pas një bllokimi 4 vjeçar. Ndërsa vitin e ardhshëm plotësohet cikli i parë 4-vjeçar prej rikthimit të specializimeve nga ku do të kemi 300 mjekë specialistë.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.