Nis mbyllja e lotove – Pikat e basteve heqin reklamat dhe lirojnë ambientet
Pavarësisht se ndryshimet në ligjin “Për lojërat e fatit”, përmes të cilëve ndalohet ushtrimi i aktivitetit të kazinove dhe basteve sportive në qendrat e banuara, do të hyjë në fuqi në datën 1 janar 2019, në terren duket se po jepen efektet e para.
Sipas një vëzhgimi të kryer nga TV SCAN janë një sërë pikash, të cilët kanë nisur heqjen e reklamave nga ambientet ku ushtronin aktivitetin. Ndërkohë që të tjerë janë zhvendosur tërësisht, duke liruar ambientet.
Jashtë kamerës pronarët e pikave të basteve thonë se po përgatiten ta lëshojnë me qira ambientin, ndërkohë që duan të shmangin ndryshimet në momentin e fundit.
Megjithatë, ajo që vlen të theksohet është fakti se pjesa dërrmuese e pikave të basteve dhe kazinove vijojnë funksionimin normal të tyre, duke shfrytëzuar edhe 2 muajt e mbetur deri në mbylljen e tyre.
Ndryshimet në ligjin e lojërave të fatit erdhën pas një zhvillimi të vrullshëm, që pati ky lloj biznesi vitet e fundit, ndërkohë që ai pritet të sjellë ndryshime të mëdha në tregun e punës dhe atë imobiliar.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.