Nis ndalimi i tregtimit të objekteve të komunizmit!
Anëtarë të Parlamentit Europian i kanë kërkuar kreut të “Amazon” Jeff Bezos që të ndalojë tregtimin e mallrave me tematika sovjetike në këtë platformë globale online. Në letrën publike argumentohet se kjo ofendon viktimat e regjimit. Apeli për njeriun më të pasur në botë vjen pas zotimit që mori edhe gjigandi amerikan i tregtisë “Walmart” që ndaloi shitjen e rrobave me çekiçin e drapërin komunist si rrjedhojë e ankesave të ngjashme.
“The Guardian” shkruan se 27 deputetë, disa nga vendet e bllokut lindor, thanë se po kërkonin “ndërprerjen e shitjeve të mallrave me simbolin e çekiçit dhe drapërit, që përfaqëson Bashkimin Sovjetik, në platformën Amazon Inc”.
Letra përfshin ndalimin e tregtimit të mallrave si bluza, kostume, flamuj dhe objekte të tjera të kujtesës së asaj periudhe.
Eurodeputetët evidentojnë se numri viktimave të regjimit sovjetik vlerësohet më shumë se 60 milion ndërsa më shumë se 10 milionë janë internuar në kampe në Siberi ku i janë nënshtruar kushteve çnjerëzore të jetesës, punës së detyruar, urisë e dhunës fizike.
Në fakt, “Amazon” tregton bluza të kuqe red T-shirts me simbolin e çekiçit dhe drapërit me ngjyrë të verdhë në kategorinë “CCCP”, që do të thotë “BRSS”.
Eurodeputetët shkruajnë në letër se ata mbështetin edhe vendimin e “Adidas” për të ndaluar shitjen e këtyre rrobave. Stili i frymëzuar nga modeli sovjetik është kthyer në trend vitet e fundit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.