Nis ndërtimi i rrugëve në Pezë, Veliaj: Pjesa e dytë e mandatit me fokus te infrastruktura rurale

Në dy vitet e ardhshme, fokusi i punës së Bashkisë së Tiranës do të jetë përmirësimi i infrastrukturës dhe i shërbimeve në zonat rurale. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Kryetari i Këshillit të Qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi, inspektoi punimet për ndërtimin e tre rrugëve të reja në zonën e Pezës. Veliaj gjatë inspektimit të punimeve theksoi se Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim edhe me Këshillin e Qarkut, do të sigurohen që investimet të shtrihen në të gjitha njësitë administrative.
“Është shumë mirë që kemi sheshin “Skënderbej”, Pazarin e Ri, Parkun Olimpik, Bulevardin e Ri, por jo të gjithë njerëzit jetojnë në shesh apo në pazar. Njerëzit rrinë në shtëpi, në lagje, në fshat, ndaj kemi bërë një bashkëpunim fantastik me Aldrinin: Unë kam marrë përsipër gjithë fshatrat e ish-komunës në krahun majtë, ai ka marrë përsipër të gjithë ato në krahun e djathtë, që të sigurohemi që, ashtu si Edi Rama nuk i ndan njerëzit në të majtë e në të djathtë, por punon me fokus për t’u shërbyer të gjithëve, ashtu edhe unë e Aldrini jemi bërë partnerë, që të sigurohemi që, si në të majtë e në të djathtë të rrugës, apo si në krah të majtë e të djathtë të politikës, qytetarëve t’u shërbejmë të gjithëve njësoj”, tha ai.
Kryebashkiaku siguroi vijimin e investimeve edhe gjatë stinës së verës. Veliaj deklaroi se vetëm për komunën Pezë janë në plan 6 projekte, të cilat do të përfundojnë shumë shpejt.
“Siç kemi premtuar, ka apo s’ka fushatë, ka apo jo pushime verore, punët që janë nisur do mbarojnë. Do të vijojmë gjatë gjithë kohës me investimet, jo vetëm në zonën e Pezës, por edhe në zonën e Ndroqit, në zonën e Bërzhitës, ku jemi duke punuar aktualisht, edhe në Krrabë, Mushqetë, në Zall Bastar, Zall Dajt”, tha ai.
Kryetari i Këshillit të Qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi vlerësoi vizionin e kryebashkiakut që në gjysmën e dytë të mandatit investimet të përqendrohen edhe në zonat në periferi, që tashmë janë pjesë e bashkisë së madhe.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.